Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, me manifestim përkujtimor në këtë grykë dhe me homazhe në “Kompleksin e Dëshmorëve” në Penuhë u shënua 24 vjetori i Betejës së Kaçanollit, njofton kumtesa, transmeton Llapi.info.
Aktivitetet për shënimin e përvjetorit të Betejës së Kaçanollit, filluan me homazhe dhe vendosjen e luleve nga delegacioni i Komunës së Podujevës i prirë nga kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, për të vazhduar me manifestimin përkujtimor në grykën e Kaçanollit.
Kryetari Bulliqi në një fjalë rasti tha se “Beteja e Kaçanollit është e shënuar në kalenderin e ngjarjeve historike si një prej betejave më të lavdishme të Zonës Operative të Llapit, ku ranë dëshmorë Bekim Maliqi, Bekim Lushaku, Nazmi Zhegrova, Fadil Sejdiu, Islam dhe Selim Rekaliu. Emrat e këtyre dëshmorëve do të jetojnë ndër shekuj, sepse vepra e tyre heroike i frymëzoi pasardhës të shumtë në organizimin frontal të luftës çlirimtare në Llap e Kosovë”.
Ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti në pamundësi të pjesëmarrjes kishte përgatitur një fjalim, këtë tekst e lexoi moderatorja.
“Ushtarët e UÇK-së, u kanë nxjerrë hakun dëshmorëve të Betejës së Kaçanollit qysh gjatë betejës, por tani, të gjithë ata ushtarë që luftuan këtu dhe kudo në Zonën e Llapit dhe në të gjithë Kosovën, u kanë borxh shokëve të rënë, vetë idealeve për liri, mbesave dhe nipërve të tyre dhe gjithë breazave të së ardhmes, që dëshmitë dhe rrëfimet e luftës, t’i shpërndajnë me historianët e rinj që do ta shkruajnë historinë e UÇK-së dhe luftës së Kosovës”.
Fjalë rasti mbajtën edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, komandanti Nuredin Ibishi dhe përfaqësuesi i OVL-së, Fahri Balaj duke e vlerësuar lartë sakrificën dhe veprën e dëshmorëve./Llapi.info






