Lokale - eSIMy

Është vënë sot gurthemeli për ndërtimin e objektit të ri të shkollës “Ilir Konushevci” në fshatin Llugë të Podujevës, raporton Llapi.info.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Me rastin e vënies së këtij gurthemeli, kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se objekti i vjetër i shkollës në këtë fshat, sipas tij, nuk ofronte kushte të mira.

“Po e fillojmë këtë projekt këtu, pas një pune 45-vjeçare ku është ndërtuar objekti i vjetër i kësaj shkolle. Duke pasur parasysh kushtet jo të mira që ofron ky objekt, sot bashkë me Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit, po fillojmë këtë objekt të ri shkollor, i cili do të krijojë kushtet optimale për nxënësit dhe mësimdhënësit, që të vijojnë mësimet këtu. Ky objekt është dykatësh, ku do t’i bashkëngjitet edhe palestra sportive. Falënderojnë Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit për këtë projekt”, ka thënë Bulliqi.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, nga fshati Llugë, ka bërë thirrje tek mësimdhënësi që t’i kthehen procesit mësimor.

“Jemi këtu në fshatin Llugë për vënien e gurthemelit të shkollës në fshatin Llugë, për të ofruar kushtet më të mira për 450 nxënës të këtij fshati. Gjatë këtyre ditëve kam vizituar disa komuna, ku janë duke u kryer punimet në infrastrukturë nëpër shkolla. Edhe këtu, bëj thirrje tek mësimdhënësit që të jenë pranë nxënësve – ashtu që të mos humbet asnjë orë mësimi, pasi dëmet e shkaktuar janë shumë të mëdha për nxënësit”, ka thënë Nagavci.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se objekti aktual i shkollës “Ilir Konushevci” është shumë i vjetër, duke shtuar se i riu do t’iu shërbej të gjithë nxënësve.

“Shkolla e re në fshatin lugë do t’iu shërbej 450 nxënësve, meqenëse objekti aktual është shumtë i vjetër dhe ne kemi nevojë për kushte më të mira për nxënësit tanë. Prandaj, po bëhet ky investim dhe me siguri do t’iu shërbej të gjithëve pa dallim. Në veçanti, po bëjmë këtë gurthemel në muajin shtator, kur fillon viti i ri shkollor. Kemi nevojë më shumë për mësim, kemi nevojë për më shumë shkolla, kemi nevojë më shumë për mësimdhënie dhe mësimnxënie”, është shprehur ai./Llapi.info