Komuna e Podujevës ka njoftuar se ka anuluar konkursin për pozitën doktori i Stomatologjisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, shkruan Llapi.info.
Sipas njoftimit, anulimi i këtij konkursi ka ardhur pas ankesës së bërë nga një tjetër aplikant për këtë pozitë.
“Anulohet Shpallja e Konkursit Pranim me Nr. 06-111/01-0043228/22, me datë të njoftimit 09.06.2022 për pozitën: – Doktor i Stomatologjisë në QKMF – Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Duke u bazuar në vendimin e Komisionit të Ankesave për Nëpunësit e Shërbimit Publik me Nr. 06-111/01-0076908/22 i datës 07.09.2022 ju njoftojmë se anulohet konkursi për pozitën Doktor i Stomatologjisë i shpallur me datë 09.06.2022. Anulimi i konkursit bëhet pasi që Komisioni i Ankesave ka aprovuar ankesën e kandidatit ankues dhe ka konstatuar se njëri nga anëtarët e komisionit përzgjedhës ka lidhje familjare me kandidaten fituese shkak që përbën edhe konflikt të interesit. Këshillë juridike: Kundër këtij njoftimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e njoftimit në Inspektoratin e Punës”, thuhet në njoftim.
Është raportuar se e pranuara në këtë konkurs B.I. është intervistuar nga njëri nga anëtarët e komisionit vlerësues, i cili është edhe daja i saj.
B.I., kishte arritur të marrë 94.5 apo 21 pikë më shumë se kandidati i dytë më i poentuar që kishte 73.9 pikë.
Në garë pozitën doktor i Stomatologjisë në QKMF ishin tetë kandidatë./Llapi.info






