Lokale - eSIMy

Kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kanë vizituar sot shkollën “Enver Maloku” dhe çerdhen publike “Armela”, njofton Llapi.info.

Bulliqi, nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook, ka bërë thirrje tek mësimdhënësit që të kthehen në punë dhe të nis procesi mësimor.

“Bashkë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kemi vizituar shkollën fillore “Enver Maloku” për të parë nga afër procesin e shpërndarjes së librave për nxënësit e klasës së parë, të cilët kanë fatin ta kenë nga sot edhe abetaren e re të përbashkët Kosovë-Shqipëri. Gëzimi dhe lumturia në fytyrat e fëmijëve për fillimin e vitit të ri shkollor ishte i madh, andaj askush nuk ka të drejtë që t’ua mohojë këtë lumturi dhe mësimdhënësit tanë duhet të reflektojnë e të pozicionohen në anën e nxënësve dhe interesit të tyre. Prandaj edhe inkurajoj që të kthehen në shkolla e të vazhdohet me procesin mësimor se edhe ashtu kemi humbur mjaft shumë viteve të fundit. Pas kësaj me kryeministrin Kurti kemi vizituar edhe çerdhen publike në qytet “Armela”, e cila po zhvillon procesin edukativo-arsimor me më të vegjëlit pa ndonjë pengesë”, shkruan ai./Llapi.info