Lokale - eSIMy

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim, Kryetarin e Këshillit Grevist të BSPK, Rrahman Jashari dhe nënkryetarin i Këshillit Grevist, Ali Gashi, sa i përket moskezekutimit të pagave për punëtorët e sektorit publik.

Jasharaj ka konfirmuar për mediat se ai sot pritet të takohet edhe me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, derisa tha se ende nuk ka marrë përgjigje nga AAK dhe VV rreth ftesës për takim, shkruan Reporteri.net.

Jasharaj, ka njoftuar dje se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Ata dje paralajmëruan ministrin e Financave, Hekuran Murati se në rast se nuk i ekzekuton të gjitha pagat e tyre deri sot, do të angazhojnë avokat dhe do të bëjnë padi shtesë ndaj tij.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u deklarua dje duke thënë se se sindikalistët që janë në grevë nuk mund të paguhen “për punën që nuk e bëjnë”.

Kurti, para mediave tha se “kërkesat legjitime, racionale janë për dialog”, ndërsa shtoi se “kërkesat absurde nuk mund të hasin në mirëkuptimn tonë”.

“Njerëzit duhet të paguhen për punën që e bëjnë sipas meritës. Nuk duhet të paguhen për mospunën. Kjo është jo vetëm një çështje e ligjit, jo e Qeverisë, por është një çështje e arsyes të shëndoshë njerëzore. Secili prej nesh jemi punëtorë, nuk jemi pronarë, paguhemi për punën”, tha Kurti.