Lokale - eSIMy

Në pikëkalimin kufitar në Janrinjë po vazhdon të lëshohet letra hyrëse/dalëse nga autoritetet serbe për secilin që futet në Serbi nga Kosova.

Kjo pritet të vazhdojë deri në mesnatë, ku pritet të hyjë në fuqi marrëveshja e arritur në Bruksel, e cila thotë se asnjëra palë nuk do t’i lëshojë dokumentet hyrëse/dalëse për palën tjetër.

Klan Kosova ka marrë vesh se në pikëkalimin kufitar në Jarinjë është vendosur një dokument që tregon se letërnjoftimet kosovare janë pranuar vetëm sa i përket lehtësimit të lëvizjes së lirë për qytetarët dhe për asnjë qëllim tjetër, duke bërë të ditur se Serbia s’e ka lëkundur qëndrimin e saj në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Policët kufitarë i kanë thënë Klan Kosovës se nëse nis zbatimi i marrëveshjes nga Serbia, atëherë zbatimi do të nis edhe nga Kosova, duke mos lëshuar dokumentin hyrës/dalës.

Zyrtarët kosovarë në Merdarë janë gati ta zbatojnë reciprocitetin

Zyrtarët kosovarë në pikën kufitare në Merdarë thanë se janë të gatshëm për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë, nëse pala serbe nuk e respekton ujdinë e arritur në Bruksel të shtunën e 27 gushtit.

Gazetari i Klan Kosovës, Flamur Gajtani, dhe ekipi i tij do të qëndrojnë në pikën më të madhe kufitare që lidh Kosovën me Serbinë për të parë nëse ujdia do të respektohet nga të dyja palët.