Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj i është kundërpërgjigjur ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili të hënën deklaroi se kjo sindikatë në emër të anëtarësisë në pesë vitet e fundit ka marrë mbi 3 milionë euro, të cilat sipas tij nuk dihet se ku janë shpenzuar.
Për këtë çështje, Jasharaj shpjegoi se ku kanë shkuar këto mjete, por thotë se Murati nuk e ka lexuar ligjin për Sindikatat. Madje u shpreh se shefi i kuletës kosovare nuk e ka lexuar statutin e kësaj sindikate që është i publikuar.
Ai tha se 40 për qind e këtyre parave i kthehen shkollave kurse 10 prej tyre i dedikohen nivelit komunal.
Jasharaj theksoi se janë të detyruar po ashtu të paguajnë për Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
“Ne nuk ua ndalim anëtarësinë në xhepa, e kanë të shkruar në listën e pagave, nga të gjitha nivelet i sjellin të hollat. Murati nuk e ka lexuar ligjin sindikal, s’ka dashur të lexojë statutin tonë që është i publikuar. Në pesë vite ka ndodhur kjo, por nga kjo shumë statuti na detyron detyrën, 40 për qind i kthehen shkollës, 10 për qind nivelit komunal, jemi të detyruar të paguajmë për BSPK-në, bile nganjëherë na kanë kritikuar që kemi dërguar para në pandemi, bëjmë trajnime, konferenca, jemi kudo që na thirrin unioni i sindikatave dhe e kemi një buxhet”.
“Nuk e kemi buxhetin me nda rroga, por s’e kemi këtë takat, pasi Murati u kënaq duke u shëtitur dhe kanë akumulim mjetesh e miliona e miliona. Ne s’kemi buxhet për t’i paguar pagat dhe s’jemi të thirrur për këtë. Shteti duhet t’i paguajë, ligji e thotë qartë se edhe kur janë në grevë t’i paguajnë. Dialogu ka dështuar dhe krejt fajet dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen është te qeveria. Ne po kërkojmë 100 euro në muaj, ai po thotë se do t’i ndalë në fund të muajit. Duke kërcënuar s’do të ketë kurrë qetësi”, theksoi ai në një konferencë të jashtëzakonshme për media.





