Lokale - eSIMy

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka përcjellë nga afër asfaltimin e rrugës Buricë – Konushec, shkruan Llapi.info.

Në një postim në Facebook, kreu i Podujevës ka thënë se tashmë asfaltimi i rrugëve është kryer edhe në fshatrat Obrançë, Dumnicë, Bajqinë, Dobërdol, Lupç i Poshtëm, Majac dhe Popovë.

Postim i plotë:

Po asfaltohet rruga Buricë-Konushec

Sot bashkë me drejtorin e Urbanizmit, Leutrim Krasniqi dhe të Shërbimeve Publike, Bahri Selimi kemi përcjellur nga afër punimet në asfaltimin e rrugës lidhëse Buricë-Konushec.

Jam shumë i lumtur që kërkesa e kahmotshme e banorëve të këtyre dy fshatrave po realizohet. Asfaltimi i kësaj rruge lidhëse banorëve iu shkurton rrugën për qarkullim nga 2.5 km në 700 metra.

Krahas kësaj kompanitë punëkryese janë duke punuar edhe në shumë fshatra në asfaltime të rrugëve, ndërsa asfaltimet e shumë rrugëve dhe rrugicave kanë përfunduar në fshatrat Obrançë, Dumnicë, Bajqinë, Dobërdol, Lupç i Poshtëm, Majac dhe Popovë.

Urime banorëve për realizimin e këtyre projekteve!