Lokale - eSIMy

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës, sot ka mbajtur mbledhjen e radhës, të cilen e hapi Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, njofton kumtesa, transmeton Llapi.info.

Në këtë mbledhje, Komandanti i Statcionit Policor në Podujevë Njazi Jashari, të pranishmit i njoftoi se situata e sigurisë në Komunën e Podujevës është relativisht e qetë dhe stabile, gjatë periudhës 1 qershor 2022 deri më datën 14 gusht 2022 janë 296 raste të raportuara, janë shqiptuar 1673 gjoba trafiku dhe janë konfiskuar 109 automjete.

Një shqetësim që ndau me anëtarët e KKSB-së, komandanti Jashari ishte mungesa e stafit policor dhe mosha e shtyer e disa prej zyrtarëve policorë, e cila po përcillet me probleme shëndetësore ka bërë që të vështirësojë punën e Stacionit Policor në Podujevë.

Në anën tjetër Kryetari Shpejtim Bulliqi, falenderoi dhe përgezoi stafin policor për punën dhe angazhimin në ruajtjen e sigurisë në komunën tonë dhe për asistimin që po i bëhet komunës nga ana e Stacionit Policor në zbatimin e vendimeve të institucioneve lokale.

Përfaqësuesja nga KFOR-i e vlerësoi si stabile gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës dhe foli për donacionin e ofruar nga ana e KFOR-it hungarez për brigadën e zjarrfikësve javën e kaluar.

Poashtu, edhe përfaqësuesi nga FSK e vlerësoi si të qetë dhe stabile gjendjen e sigurisë në Podujevë.

Në fjalën para të pranishmëve kryetari i Bashkësisë Islame në Podujevë, Mensur Hoti foli për rastin e sulmit ndaj imamit të xhamisë në fshatin Lupç, me këtë rast ai kërkoi thellim të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve për t’i parandaluar rastet tjera.

Ndërsa, Shemsi Jashari anëtari i Shoqërisë Civile propozoi që të formohet një plan operativ për muajt Korrik dhe Gusht për vitin e ardhshëm, me qëllim të organizimit dhe funksionimit të institucioneve gjatë fluksit të ardhjes së bashkatdhetarëve në Komunën e Podujevës.

Takimin e përmbylli Kryetari Bulliqi i cili falënderoi për pjesëmarrjen gjithë anëtarët e KKBS-së duke uruar bashkëpunim të frytshëm e rezultate pozitive nga ky mekanizëm mjaft i rëndësishëm për rrjedhat e sigurisë në nivel lokal./Llapi.info