Lokale - eSIMy

Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës has në personat që mbajnë armë pa leje, gjë që vazhdimisht po e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative. Një rast i tillë është zbuluar edhe dje në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se Njësia e Reagimit të Shpejt ka ndalur për kontroll një veturë te rrethi i Çagllavicës, ku gjatë kontrollimit, te shoferi kanë gjetur armë zjarri.

I dyshuari po bartte në çantën e tij të krahut një armë zjarri me një karikator dhe shtatë fishekë, të cilat janë konfiskuar nga Policia.

48-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“