Lista Serbe sot tha se dëshiron që ta rrëzojë Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, pasi sipas saj, qeveria po punon kundër interesave të popullit serb.
“Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, që është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, tha kjo parti.
Kjo deklaratë erdhi pas asaj të ministrit të brendshëm Xhelal Sveçla, se Lista Serbe bashkëpunon me grupe kriminale dhe qeveria nuk ka vullnet për të bashkëpunuar me të.Ndaj Listës Serbe ka ardhur reagimi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Agon Batusha, deputet i kësaj partie, thotë për Gazeta Blic se Qeveria Kurti është e vetmja qeveri e formuar pa votat e serbëve dhe se nuk varet nga ta.
“Qeveria e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe e kryeministrit Albin Kurti, është e vetmja qeveri është formuar pa votat e Listës serbe, pa koalicion me ta dhe nuk varemi assesi dhe asnjëherë nga ata”, thotë ai.
Andaj, Batusha vlerëson se kjo ka bërë që Qeveria të jetë më stabile dhe e pashantazhuar nga Beogradi e po ashtu mos përfshirja e Listës Serbe në koalicion ka bërë që ajo ta humb fuqinë politike.
“Kjo ka bërë që Qeveria të jetë më stabile, e pa shantazhueshme nga kërcënimet e Beogradit dhe në anën tjetër mos përfshirja në koalicion apo marrëveshje ka bërë që Lista serbe të humb fuqinë politike që ka pasur brenda institucioneve të Republikës”, shprehet deputeti i VV-së për Gazeta Blic.Sipas tij, opozita është bërë koalicion me Listën Serbe për rrëzimin e Qeverisë por që këtë e kanë vetëm ëndërr që nuk mund t’u bëhet realitet.
“I vetmi koalicion aktual është PLAS (PDK, LDK, AAK dhe LS) për rrëzimin e qeverisë legjitime të zgjedhur nga populli në mënyrë demokratike. Dëshirë kanë, ndoshta edhe ëndërr, por janë larg të bërit realitet”, deklaron deputeti Agon Batusha./Gazeta Blic/






