Spitali i Podujevës po vazhdon të mbetet një prej premtimeve që përsëritet ndër vite nëpër fushata zgjedhore, por funksionalizimi i tij po zvarritet, shkruan Llapi.info.
Ani pse objekti i destinuar për Spital ka përfunduar dhe i është prerë disa herë shiriti – i njëjti nuk është tërësisht funksional, derisa në të dikur kryheshin shërbime vetëm disa reparte.
Në të janë thirrur të gjitha partitë politike dhe të gjitha Qeveritë e Kosovës. Listës së premtimeve për ndërtimin e këtij spitali i është shtuar edhe Qeveria Kurti.
Kur do të nisin hapat për ndërtimin (funksionalizimin) e këtij Spitali, nga Zyra për Informim e Komunës së Podujevës nuk kanë dhënë as edhe një përgjigje, përkundër interesimit të Llapi.info.
Komunarët nuk kanë treguar shkaqet që kanë çuar në mos-funksionalizimin e këtij objekti shëndetësor.
Vitin e kaluar, në kohë fushate, ministri i Financave, Hekuran Murati, pati deklaruar se ky spital do të bëhet me kredi, pasi që në Buxhetin e miratuar të Qeverisë për vitin 2022, sipas tij, nuk është ndarë asnjë cent për ndërtimin e tij.
“Spitali i Podujevës do të bëhet! Ka projekte që financohen nga të hyrat buxhetore, dhe ka projekte që financohen nga kreditë e buta. Spitalet dhe kryesisht projektet në shëndetësi, janë investime që institucionet financiare ndërkombëtare i financojnë me shumë dëshirë, e kështu do të financohet edhe ndërtimi i spitalit të Podujevës. Për të gjitha projektet e reja që pritet të financohen me kredi sipas klauzolës së investimeve, kemi krijuar një program me shumën prej 50 milionë euro (40 kapitale dhe 10 mallra), e cila pastaj shpërndahet nëpër organizatat buxhetore sipas dinamikës së nënshkrimit dhe ratifikimit të projekteve. Andaj në rastin e spitalit të Podujevës sapo të negociohet projekti me njërin nga institucionet financiare ndërkombëtare (Banka Botërore, EIB, BERZH, CEB, etj), shuma e nevojshme për ndërtimin e spitalit merret nga programi për financimin e projekteve potenciale, dhe i transferohet organizatës buxhetore implementuese”, pati shkruar ai.
Premtimin për këtë Spital e kishte dhënë edhe tash kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Madje, ky i fundit i pati akuzuar paraardhësit e tij se këtij objekti vetëm ia kishin prerë shiritin.
“Deklarata e ministrit të Financave ishte që janë siguruar mjetet për ndërtimin e Spitalit të Podujevës i cili tash e pesë vite prehen shirita të ndryshëm rreth atij spitali, por qytetarëve nuk u është mundësuar një gjë e tillë”, ishte shprehur Bulliqi.
Megjithatë, Spitali i Podujevës vazhdon të mbetet një prej premtimeve që përsëritet ndër vite nëpër fushata zgjedhore.
Premtim patën dhënë edhe ish-ministri i LDK-së, Armend Zemaj. Edhe ish-ministri i PDK-së, Uran Ismaili, pati dhënë premtimin se Podujeva do të bëhet me Spital.
Në mungesë të Spitalit të Podujevës, Podujeva bëhet e dyta komunë pas Prishtinës, barrë për Qendrën Klinike Universitare./Llapi.info






