Frashër Krasniqi nga Partia Socialdemokrate e konsideron si të pasinqertë kërkim faljen e ministrit, Hekuran Murati, në lidhje me disa shkrime rreth veteranëve, vite më parë.
Krasniqi, në Info Magazine në Klan Kosova, thotë se kjo është kërkim falje prej zorit dhe për atë qëndrojnë prapa protestës së organizuar të mërkurën ku kërkojnë dorëheqjen e Muratit.
“Qëndrimet e mëhershme tregojnë se çfarë realisht mendon, por, pasi të bëhesh ministër normalisht që reagon ashtu siç e sheh që të konvenon, herë kërkon falje – herë ndërron pozicion posaçërisht nëse je ministër i Vetëvendosjes. Unë mendoj që në një shtet demokratik sinqeritetin e kërkim faljes e tregon duke dhënë dorëheqje – ky është akti që një ministër kërkon falje”.
“Pse duhet të presë dy-tre ditë presion publik që të bëjë kërkim faljen – kjo është kërkim falje prej zorit dhe e pasinqertë. Prandaj, ne mbesim në thirrjen tonë për protestë, të mërkurën në ora 19:00 dhe i ftojmë në mënyrë masive qytetarët e Kosovës të marrin pjesë”.
Mes tjerash, Krasniqi, thotë se rreth 90 për qind e njerëzve për rreth kryeministrit, Albin Kurti, janë anti-UÇK, njofton Klankosova.tv.
“Rasti i Muratit nuk është rast i izoluar pasi që 90 për qind e njerëzve që i ka rreth vetës Albin Kurti janë anti-UÇK, kanë pasur në të kaluarën dhe tani deklarime anti-UÇK dhe Albin Kurti përsëri i ka mbajt afër”, tha Krasniqi.
