Lokale - eSIMy

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka mbajtur sot një takim me qytetarët, ku ka shpalosur projektet e realizuara dhe ato që pritet të realizohen në vitet në vijim, shkruan Llapi.info.

Përpara qytetarëve, Bulliqi ka thënë se një varg projektesh do të realizohen gjatë këtij mandati, derisa ka shtuar se ka avancim në fusha të ndryshme.

Gjatë këtij debati, një fjalim mori edhe një mërgimtar llapjan, Bedri Bashota, që jeton dhe vepron në Norvegji.

Ai ka thënë se përparimi në qytetin e Podujevës, sipas tij, është i madh, teksa ka përgëzuar institucionet lokale.

“Është hera e parë që jam në Komunë sot. Mora fjalën vetëm t’ju përgëzojë dhe t’ju falënderoj për punën që po bëni. Kur hyra këtu në Komunë, vetëm dola pak jashtë edhe e shikova se a jam në Norvegji apo në Podujevë. U binda vetëm atëherë kur e shikova mbi derë që shkruante Komuna e Podujevës. Këtë shërbim që e pash sot me këtë rregullsi, edhe ne në Norvegji s’e kemi. Shfrytëzoj rastin që t’ju bëj një thirrje edhe ta vizitoni Norvegjinë”, ka thënë ai.

Pas tij, i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i premtoi Bashotës se do t’i rrit kapacitet për parikimin e veturave për të gjithë mërgimtarët.

“Për juve ju informoj se parkingu i Komunës do të jetë në dispozicion gjatë verës. Nëse është nevoja do ta rris kapacitetin e parkingut. E kemi edhe një parking të vogël përballë komune, do e lëshoj edhe atë në dispozicion për juve. Do të ishte mirë që çdo sugjerim i juaj, neve do të ndihmonte shumë. Po gëzohem shumë për këto fjalë, por me këto shërbime jemi duke u përpjekur që t’i avancojmë. Këtë orar fleksibil që e kemi bërë është që qytetarët t’i marrin edhe gjatë orarit 12:00 – 13:00 që ju të mos keni pritje”, ka thënë Bulliqi.

Në këtë debat, shumë qytetarët llapjanë të zonave të ndryshme kanë kërkuar nga Bulliqi dhe drejtorë të Drejtorive që t’ua zgjidhin problemet me të cilat ballafaqohen, në theks të veçantë, në infrastrukturë./Llapi.info