Lokale - eSIMy

Hapësira e destinuar për biçiklistë në rrugën kryesore të qytetit, “Zahir Pajaziti”, po përdoret për parking të veturave, shkruan Llapi.info.

Kjo hapësirë, e cila u rregullua vetëm pak ditë më parë, po vazhdon të jetë e bllokuar nga automjetet e ndryshme të parkuara.

Kështu ka njoftuar “Llapi Bike Team” në një postim në grupin e tyre në Facebook, duke kërkuar që të ketë ndërhyrje nga organet e rendit.

“A ka Polici në Podujevë a jo!”, shkruhet në postim, teksa shihet në pamjet e publikuar kjo hapësirë për ta e bllokuar.

Përfundimin e këtij projekti e ka bërë të ditur ditë më parë në një postim në Facebook, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Sonte përcollëm nga afër punimet që po zhvillohen në ndërtimin e shtegut të biçikletave në rrugën “Zahir Pajaziti”. Ky projekt përkundër vështirësive me dinamikën e punimeve, së shpejti do të jetë gati për qytetarët që përdorin biçikleta”, pati shkruar ai./Llapi.info