Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se 23-vjetorin e Çlirimit të Podujevës po festohet me një mori aktivitetesh, shkruan Llapi.info.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bulliqi ka thënë se kjo datë kujton angazhimin e madh të shumë brezave për lirinë e Kosovës.
“19 qershorin – Ditën e Çlirimit të Podujevës po e shënojmë me një mori aktivitetesh të organizuara nga Komuna e Podujevës, së pari i nderuam heronjtë dhe dëshmorët, nga aty ku edhe buron liria. Kjo datë na rikthen në kujtime për të kaluarën tonë, për luftën, sakrificën dhe angazhimin e madh të shumë brezave për ta fituar lirinë.
Podujeva frymoi kombëtarisht në secilën periudhë historike, ajo dha kontribut të jashtëzakonshëm si në demonstratat e vitit 68, 81 e 89, si në organizimin e jetës paralele në vitet e 90 si në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në 98-99.
Lavdi jetës dhe veprës së gjithë dëshmorëve, heronjve, martirëve dhe veprimtarëve që kanë sakrifikuar e punuar për lirinë e Kosovës”, ka shkruar ai./Llapi.info






