Lokale - eSIMy

Nesër do të mbahet protestë nga disa biznese të Podujevës me fillim nga ora 13:00 në pikën kufitare në Merdar, raporton Llapi.info.

Në njoftimin që e ka siguruar Llapi.info, kjo protestë do të mbahet për shkak të mbylljes së terminalit doganor në këtë pikë kufitare.

“Ju njoftojmë se nesër me datë 17.06.22 ora 13:00  do të ketë protestë nga firmat që operojnë në Podujevë, për shkak se Dogana e Kosovës sot me datën 16.0.0.2022 na ka njoftuar se do të tërheqë oficerët doganorë nga terminali doganor në Podujevë dhe ne si biznese nuk kem se nga të shkojmë, pasi që terminali shtetëror në Komunën e Podujevës nuk ekziston”, thuhet në njoftimin.

Terminali doganor në Merdar, pikë kufitare kjo që gjendet në Podujevë, nuk do të jetë funksional nga 18 qershori.

Kështu ka vendosur Dogana e Kosovës. Në njoftimin e lëshuar nga kjo doganë, thuhet se personeli zyrtar do të tërhiqet nga kjo pikë nga dita e shtunë.

“Siç jeni në dijeni se për shkak se kushtet që kanë mundësuar vendosjen e zyrës doganore në terminalin e operuar nga “Diana” SHPK., në Merdar pushojnë nga data 18.062022, Dogana e Kosovës detyrohet të pushoj veprimtarinë si zyre doganore në këto hapësira dhe me këtë tërheq stafin si dhe ndal operimin zyrtar”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili ka pritur në takim shoqatën e shpediterëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Pas vendimit nga ana e Doganës së Kosovës për mbylljen e terminalit doganor në Merdarë, kam pritur në takim shoqatën e shpediterëve vendorë dhe ndërkombëtar, të cilët kanë vepruar në këtë pikë doganore.  Ata ishin të shqetësuar nga ky vendim dhe shprehën mospajtimet e tyre me këtë vendim, ndërsa atyre ju sigurova që kërkesat e tyre do t’i adresoj në instancat e nivelit qendror”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Vendimin për bllokimin e këtij terminali doganor e kanë dënuar fuqishëm edhe shoqëri civile./Llapi.info