Janë të shpeshta rastet kur punëtorët fizik dërgohen në spital për trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve që marrin në vendet e tyre të punës. E një rast i tillë ka ndodhur dje rreth orës 14:30 në Viti, ku janë lënduar dy punëtorë gjatë kohës që po punonin, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se një 31 dhe 32-vjeçar ishin duke duke kryer punë ndërtimore në një shtëpi në fshatin Debëllde të Vitisë, kur janë lënduar, me ç’rast janë dërguar me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Spitalit të Gjilanit bëjnë të ditur se njëri nga punëtorët është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore, ndërsa tjetri po vazhdon trajtimin në Spitalin Rajonal.
Me të denoncuar rastin në Polici, njësitë kompetente kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, teka kanë intervistuar edhe pronarin e kompanisë ku punojnë dy punëtorët që e pësuan.
Me vendim të prokurorit rasti është iniciuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.






