Lokale - eSIMy

Pas konfirmimit nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, se Kosova është në prag të finalizimit të marrëveshjes për rrymën në veri, ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë, duhet të jenë të përfshirë në një sistem unik energjetik dhe t’i respektojnë rregullat e tregut.

Sipas kreut të AAK-së qeveria e tanishme që nga fillimi i mandatit të saj i ka pasur të gjitha mundësitë që të përfshijë qytetarët e veriut në sistemin energjetik të Kosovës, që ata të paguajnë për shërbimet që i gëzojnë.

“…Qeveria e tanishme i ka pasur të gjitha predispozitat që nga fillimi i mandatit të saj, të përfshijë qytetarët e veriut të vendit, në sistemin energjetik të Kosovës, njëherësh që ata të paguajnë për shërbimet që i gëzojnë”, thuhet në postimin e kreut të AAK-së

“Për këto arsye, çdo shtyrje e zbatimit të kësaj normative, jo vetëm që është e vonuar por edhe me kosto të papërballueshme. Çështjet teknike administrative nuk duhet të shndërrohen në probleme politike”, ka shtuar tutje Haradinaj.