Të mërkurën mbrëma, një njësit i trafikut i stacionuar në magjistralen përgjatë Milloshevës, ndaloi edhe një autobus për mos-përshtatje të shpejtësisë. Por thyerja e rregullave të trafikut nuk qe e vetmja vepër që qoi në burg ngasësin e autobusit të kompanisë “Qëndrimi Tours”, S.U, 34 vjeçar.
Në mjetin e tij transportues udhëtarësh pati 57 persona, që në Kosovë qëndrojnë jashtëligjshëm. Të gjithë emigrantë, kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme. 48 udhëtarë ishin nga Siria, 5 nga Egjipti, 2 nga Iraku, 1 nga Palestina dhe 1 prej Bangladeshit.
Se si e kur u futën në Kosovë 57 emigrantët nuk dihet ngaqë ngasësi i autobusit që u ndalua për 48 orë për veprën “kontrabandë me emigrantë” dyshohet se bartjen e këtyre kalimtarëve e bëri vetëm nga stacioni i autobusëve në Prishtinë për në Mitrovicë.
Më shumë detaje për rastin nuk pranoi të jap as avokati i tij Nuhi Krasniqi, e as prindi i tij, pronari i kompanisë, R.U, i cili përmes telefonit tregoi se është i befasuar për ngjarjen.
Të gjithë shtetasit e huaj u strehuan, për herë të parë, në qendrën e azilit në Magurë.






