Lokale - eSIMy

Në seancën e së martës, i akuzuari Xh.H, është deklaruar i pafajshëm rreth akuzës për vjedhjen e tre rrathëve të arit në vlerë 150 euro si dhe një sasi të parave të gatshme.

Këtë deklarim, i akuzuari Xh.H e ka bërë gjatë shqyrtimit të dytë, në Gjykaten Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari ka thënë se qëndron pranë deklaratës së dhënë në shqyrtimin fillestar, duke shtuar se është i pafajshëm.

Po ashtu, ai e ka kundërshtuar aktakuzën me të gjitha provat që gjenden në të.

Ndërsa, i ka propozuar gjykatës që të ftohet në cilësinë e dëshmitarit Xh.B si dhe të shikohen edhe një herë shkresat penale ku ai është i akuzuar, pasi sipas tij kanë të bëjnë me të njëjten çështje penale.

Në anën tjetër, prokurori Rrahim Podvorica ka thënë se pasi i pandehuri në formë të shkruar nuk ka ofruar prova për hudhje të aktakuzës, prokuroria edhe me tutje pretendon se ekzistojnë prova të mjaftueshme nga të cilat do të vërtetohet se i njëjti ka kryer veprën penale, ashtu siç është përshkruar në dispozitivin e kësaj aktakuze.

Pas deklarimeve të palëve, gjykatësi Selman Salihi seancën e këtij shqyrtimi të dytë e konsideroi të përfunduar, ndërsa në seanca e shqyrtimit gjyqësor u caktua më 26 korrik 2022.

Gjykatësi Salihi, ka thënë se me thirrje në rregullt do të ftohen i dëmtuari M.Q dhe dëshmitarët Xh.B dhe M.M.

Ndryshe, i akuzuari Xh.H për seancën e sotme është sjellë nga njësiti për transportin e të burgosurve, pasi i njëjti gjendet në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, për një vepër tjetër penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 26 janar 2018, i akuzuari Xh.H më 1 shkurt 2015, rreth orës 19:00, në fshatin Gadime e Ulët, Komuna e Lipjanit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka vjedhur stoli ari dhe atë 3 rrathë dore në vlerë prej 150 euro dhe një sasi të parave të gatshme.

Sipas aktakuzës, i akuzuari ka dëpërtuar me forcë përmes mjetit të fortë kaçavidës, në shtëpinë e A.U, tani i dëmtuari, dhe ka hapur derën e verandës ku gjendet salloni dhe nga aty ka kaluar në dhomën në katin përdhesë, në të cilën ka demoluar dollapët, sirtarët dhe nga aty ka nxjerrë gjësendet e lartcekura, me ç’ka i ka shkaktuar dëm material të dëmtuarit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rendë” neni 327, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1, Kodi Penal, Nr.04/L-82, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej 3 deri në 7 vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.