Lokale - eSIMy

Dëshmitari N.P. tha se kur kishte shkuar ditën kritike në Tregun e Gjelbër në Gjakovë, policia kishte qenë duke e arrestuar të akuzuarin R.K.

R. dhe M.K., babë e bir, po akuzohen se kanë sulmuar zyrtarët policorë, në prill të vitit 2018, në Tregun e Gjelbër në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të akuzuarit R.K, avokatit Isa Osdautaj, dëshmitari i cili është zyrtar policor, tha se ditën kritike kishin dëgjuar në radiolidhje se një patroll e policisë kërkon asistencë në Tregun e Gjelbër dhe meqenëse kishin qenë afër kishin shkuar.

Ai tha se e tëra që mund të tregojë në lidhje me këtë rast është vetëm koha kur ka shkuar tek automjeti dhe e kanë arrestuar të R.K.

“Janë kon diku 3-4 policë, jam afru afër i kam thënë R. mos kundërshto, dhe i njëjti është arrestuar dhe çka ka ndodhur më herët unë nuk e di”, tha dëshmitari.

Ai tha se nuk i njeh të akuzuarit si persona problematik.

Më pas, në këtë seancë janë administruar provat materiale, e që për disa raporte të policisë ka pasur vërejtje mbrojtësja e të akuzuarit M.K., avokatja Blerina Kurtaj.

“Raportet e lexuara duhet cekur se kanë vetëm karakter informativ dhe nuk mund të përdorën si prova materiale në procedurë, e aq më tepër kur këto raporte bien në kundërshtim me provat personale të administruara në këtë shqyrtim gjyqësor të vetë kinse të dëmtuarve”, tha avokatja.

Vërejtje në prova materiale tha se ka edhe avokati Osdautaj, por që tha se këto do t’i përmend në fjalën përfundimtare.

Gjykatësja Ilirjana Hoti, me kërkesë të avokatit Osdautaj, i cili tha se i duhet kohë që ta përgatis të mbrojturin e tij për mbrojtje kjo seancë është ndërprerë dhe e radhës është caktuar që të mbahet më 17 qershor 2022.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se M. dhe R.K. po akuzohen se më 30 prill 2018, në rrugën Gjakovë-Prizren i kanë sulmuar zyrtarët policorë A.M. dhe L.T.

Sipas aktakuzës, derisa zyrtarët policorë ishin duke e rregulluar trafikun në afërsi të Tregut të Gjelbër, i akuzuari M. i drejtohet policit duke i thënë: “lëshoi veturat të hyjnë në treg”, e kur polici i drejtohet me fjalët “zotëri largohu e mos më pengo”, i akuzuari i afrohet policit duke i thënë: “lëshoj veturat zagar se t’i q*** robt” dhe e sulmon për ta goditur.

Tutje thuhet derisa polici i shmanget dhe e nxjerr sprejin për t’u mbrojtur, në atë moment i akuzuari R. afrohet dhe e tërheq të akuzuarin M. e i drejtohet policit me fjalët “mos gabo me hudh sprej se t’i q* robt”, e të akuzuarit largohen dhe hyjnë në brendi të tregut.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kur të akuzuarit hyjnë në treg, policët u vihen nga pas të njëjtëve u drejtohen me fjalët “ik nga toka ime se ua q* robt e ju vras”, e kur situata acarohet, të dëmtuarit kërkojnë asistencë dhe me të arritur përforcimet bëjnë arrestimin e R., ndërsa M. ikë nga vendi i ngjarjes.

Për këtë, ata po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.