Në Prishtinë është arrestuar një person nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka mashtruar dy persona duke u marrë para në këmbim të vizave sllovene dhe për të fituar grande në Ministrinë e Bujqësisë.
Për këto marrëveshje raportohet se viktimat kanë paguar para në vlerë 19 mijë e 500 euro dhe material ndërtimor.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Si u raportua rasti dhe kur u zbulua i dyshuari?
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se fillimisht më 6 prill të këtij viti, ishin raportuar në stacioni policor “Jugu”, në Prishtinë, dy raste të mashtrimit, njëri për viza, ndërkaq tjetri në lidhje me grantet e një ministrie.
Rasti i i parë i denoncuar
Njëri nga denoncuesit kishte njoftuar Policinë se ka qenë ndërmjetësues për disa persona, për rregullimin e vizave të punës për Slloveni, me ç’rast kishte lidhur marrëveshje me një person që do ta kryente këtë ‘shërbim’. Për rregullimin gjoja se të vizave të punës, viktima kishte paguar 9 mijë e 500 euro në vitin 2020. Por që nga ajo kohë deri në ditën e denoncimit, personi që premtonte ‘ndihmë’ ishte zhdukur, duke i lënë qytetarët hallexhinj edhe pa viza, edhe pa para.
Detajet e rastit të dytë
Sipas të njëjtave burime brenda Prokurorisë, i dyshuari Faton Cakiqit, në të dy rastet ishte prezantuar me një emër tjetër, duke mashtruar dy qytetarë. Personi i dytë që ra viktimë e tij, ka deklaruar në Polici, se i dyshuari ishte prezantuar me një dokument të shtetit zviceran, duke i premtuar se mund të fitojë një grant të Ministrisë së Bujqësisë, për çka ankuesi ka paguar një shumë të majme, prej 10 mijë eurosh. Por përveç shumës së parave, viktima e këtij rasti kishte blerë edhe material ndërtimor, të cilin ia kishe dhënë të dyshuarit.
Si u zbulua i dyshuari?
Sinjali mëson se në dëshminë e dhënë para hetuesve në Polici, viktimat kanë deklaruar se Faton Cakiqi dyshohet se ka bashkëpunuar edhe më një person tjetër dhe që nga viti 2020, kur edhe ua kanë marrë paratë, ata s’janë bërë më të gjallë.
Policia ka arritur që të identifikojë edhe të dyshuarin tjetër, që lidhet për të rast dhe i njëjti gjendet në Qendër të Paraburgimit, derisa të dyshuarit Faton Cakiqi i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Sinjali do të ju mbajë të informuar me detajet e reja të rastit.






