Policia e Kosovës është ballafaquar mbrëmë pas mesnate me një person, i cili dyshohet se i ka penguar në kryerjen e detyrës në fshatin Krushë e Madhe të komunës së Rahovecit, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali nga burimet brenda Prokurorisë mëson se përderisa vetura e Policisë ishte në një pikë kontrolli, ka ndaluar veturën e tipit Golf, të drejtuar nga vozitësi (emër i njohur për redaksinë) për shkak të tejkalimit të shpejtësisë.
Sipas të njëjtave burime, gjatë shqiptimit të gjobës, policia hasi në rezistencë nga pasagjeri, i cili del nga vetura duke penguar policët të kryejnë detyrën zyrtare me arsyetimin se nuk kanë bërë shkelje ligjore dhe se nuk kanë qenë duke vozitur shpejt.
Edhe pas insistimit dhe kërkesës së Policisë ndaj vozitësit që të hyjë në veturë, i njëjti duke refuzuar ka qëndruar në mes të rrugës, me ç‘rast ka rrezikuar vetveten dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik.
Kjo sjellje dhe mosbindje e tij e ka bërë policinë të dyshoj se ai mund të jetë nën ndikim të alkoolit, për çka është tentuar t’i bëhet testi, mirëpo pa sukses.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Rahovec, por i njëjti përsëri ka refuzuar që t’i bëhej alkooltesti.
Me urdhër të Prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar si “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes se detyrës Zyrtare”.





