Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e së enjtes në aksin rrugor Klinë-Gjakovë, ku mbeti i vrarë një 23 vjeçar dhe u plagosën 2 të tjerë.
Lidhur me rastin Policia kishte arrestuar pesë të dyshuar: A.G. lindur me 1980, N.G. lindur me 1992, A.G. lindur me 1998, B.G. lindur me 1985, B.G. lindur me 1974.
Ndërkohë, që sot përmes raportit 24 orësh Policia ka njoftuar se ka gjetur dhe konfiskuar armën e cila është përdorur në rast.
“Fsh. Volljakë, Klinë 28.04.2022 – 20:40. Lidhur me rastin, është gjetur dhe konfiskuar pistoleta, e cila është përdorur në kryerjen e veprës në fjalë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 3 gëzhoja dhe 1 fishek. Rasti është duke u hetuar”, njofton Policia.
Ngjarja siç njoftonte të enjten Policia ka ndodhur rreth orës 20:43 minuta, atëherë edhe kur ishin njoftuar se në Klinë ka pasur të shtëna armësh dhe të plagosur.
“Në 20:43 minuta policia është njoftuar se ka të shtëna me armë zjarri dhe dyshohet për të plagosur. Me të arritur në vend të ngjarjes, është konstatuar se dy persona janë të lënduar. Janë dërguar në Qendrën e mjekësisë familjare pastaj janë dërguar në emergjencën e Pejës. Pas pak kohe, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen e njërës viktimë”, tha zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi të enjten mbrëma për Paparacin.
Sipas raportimeve të mediave, i vrari dhe të plagosurit janë vëllezër mes vete. Ata raportohet se kishin dalë për iftar me familje në një restorant, në parkingun e të cilit edhe ndodhi rasti tragjik.
Ndërkohë, që të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh.
23-vjeçarit dje në mesin e mijëra qytetarëve, iu dha lamtumira e fundit.






