Ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati, ka folur për skandalin financiar në të cilin dyshohet se është përfshirë edhe Ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj dhe një politikan opozitar slloven, Robert Golob.
Kastrati, i cili ka qenë kryetar i Mitrovicës nga radhët e PDK-së, ka thënë se ambasadori Berishaj duhet t’i argumentojë me dokumente zyrtare se kujt ia ka dorëzuar ato para, dhe me çfarë transporti janë kryer këto mjete për destinacionin përfundimtar.
Ndonëse thotë se në të kaluarën ambasadorët janë shkarkuar pa asnjë arsye e në kundërshtim me ligjin, për rastin e fundit thotë se nuk duhet të nxitohet.
“Mendoj që fillimisht ambasadori Martin Berishaj duhet të argumentojë me dokumente zyrtare, se kujt ia ka dorëzuar ato para dhe çfarë transporti ose makine ka shfrytëzuar për t’i bartur ato para nga Mali i Zi për në destinacionin përfundimtar, e pastaj varësisht nga këto argumente të merret vendimi. Edhe pse në të kaluarën ambasadorët janë shkarkuar pa asnjë arsye dhe në kundërshtim me ligjin në fuqi, mendoj që nuk duhet të nxitohet”, ka thënë Kastrati në një përgjigje me shkrim për EO.
Dy partitë kryesore opozitare, LDK dhe PDK kanë kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt pas raportimeve se i njëjti është i përfshirë në një skandal financiar në Slloveni.
Por, në mbrojtje i ka dalë pushteti, derisa ka thënë se nuk do të shkarkohet deri të vërtetohen provat dhe akuzat kundër tij.







