Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu, ka kujtuar përvjetorin e Masakrës së Keqekollës, njofton Llapi.info.
Zejnullahu shkroi se në këtë masakër u vranë Beqir Jakupi dhe gjashtë anëtarë të familjes së tij.
Ajo ka vlerësuar lartë kontributin e Beqir Jakupit edhe para kohës sa ndodhi masakra ndaj tij dhe familjes së tij nga forcat serbe.
Shkrimi i plotë;
22 prilli shënon përvjetorin e Masakrës së Keqekollës e cila ndodhi më 1999. Në këtë masakër u vranë Beqir Jakupi dhe gjashtë anëtarë të familjes së tij. Beqiri ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm para dhe gjatë luftës duke u dhënë shërbime shëndetësore të gjithë banorëve të Orllanit me rrethinë.
Vrasjet e masakrat që u bënë mbi ne shqiptarët e Kosovës nga Serbia, do të mbeten përjetësisht të paharruara në kujtesën tonë.
Do të kujtojmë me krenari secilin që dha jetën për lirinë tonë, martirët e kësaj lirie dhe dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mbi gjakun e tyre qëndron themeli i shtetit të Kosovës.
Lavdi!







