Lokale - eSIMy

Faton Aliu, është ndër piktorët më në zë në Kosovë, shkruan Llapi.info.

Pikturat e tij vazhdojnë të jenë të kërkuara nga shumë qytete të vendit dhe nga diaspora, të cilët porosisin portrete të familjarëve të tyre, për t’i realizuar profesori nga Podujeva.

Ai është profesor në Gjimnazin “Aleksandër Xhuvani”, në lëndën e Artit Figurativ, derisa talentin dhe punën e tij prej artisti është duke e kultivuar tash e shumë vite edhe tek gjeneratat e reja llapjane.

Aliu, përveç kësaj, ka qenë organizator i shumë aktiviteteve të ndryshme, që për qëllim kanë pasur krijimin e pikturave të ndryshme – veçmas nga nxënësit e tij.

Në vitin 2006, Faton Aliu, hapi kursin – shkollën e artit në Podujevë, nga e cila dolën shumë artistë llapjanë. Kursi i tij ende vazhdon të prodhojë artistë të rinj.

Po ashtu Aliu e udhëheq grupin e artistëve “Picasso” të Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, në të cilën kanë qenë të përfshirë rreth 90 nxënës.

Aliu ka qenë edhe anëtar jurie në emisionin më të ndjekur të garës arsimore në Kosovë; “123 Fillo”, ku nga viti 2011 e deri në vitin 2019, ka qenë vlerësues profesionist në lëndën e Artit Figurativ.

Më poshtë mund t’i shihni vetëm disa nga pikturat e realizuara nga Faton Aliu;