Ushtria amerikane në uebfaqen e tyre ka treguar se si rreshteri amerikan, Jessey McDaniel, i doli në ndihmë një personi që kishte rënë nga, siç thuhet artikull, shtylla elektrike teksa ishte duke punuar.
“Rreshteri Jessey McDaniel, këmbësor me batalionin e parë, regjimentin 149 të këmbësorisë, ekipin luftarak të Brigadës 116 të Këmbësorisë, Gardën Kombëtare të Kentakit dhe anëtar i një prej ekipeve të Monitorimit të Ndërlidhjes së Forcave të Kosovës, po udhëtonte nën petkun e ushtarit me një drejtor të zhvillimit ekonomik të Kamenicës. Pak përtej Parteshit, Kosovë, McDaniel dhe një shok i tij i skuadrës tejkaluan trafikun për të vlerësuar situatën. Ata gjetën një linjë elektrike të shtrirë në rrugë dhe një burrë aty pranë”, shkruhet në uebfaqen zyrtare të ushtrisë amerikane.
“Ne vumë re një viktimë të shtrirë, ku në fytyrë i kishte rënë një shkallë, i cili ishte i shtrirë tokë pranë një shtylle elektrike”, citohet të ketë thënë McDaniel nga faqja e ushtrisë amerikane.
“Ishte e dukshme se teksa viktima ishte duke punuar në shtyllën e energjisë elektrike, një rimorkio traktori kishte goditur shtyllën e varur të energjisë dhe e kishte rrëzuar burrin nga shkalla”.
Siç potencon artikulli, pasi vlerësoi situatën, McDaniel mori çantën e tij ‘Combat Lifesaver’ dhe filloi t’i ofrojë ndihmë. Ai vuri re plagë të shumta në fytyrën e viktimës dhe humbje të konsiderueshme gjaku. Përveç kësaj, vijon shkrimi, viktima dukej e tronditur dhe kishte dobësim të reagimit. McDaniel i kishte ofruar ndihmë derisa viktima të jetë transportuar në një spital në Gjilan të Kosovës.
“Fillova të informoj ata që duhej të ishin të vetëdijshëm për rastin, duke filluar nga Policia e Kosovës. Unë arrita të marr në linjë dispeçer që fliste anglisht dhe ishte në gjendje t’i informonte për situatën, vendndodhjen dhe se viktima ishte transportuar në spital”, njoftoi më tej rreshteri amerikan, sipas faqes së forcave amerikane.






