Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se për pensionistët dhe punëtorët e sektorit publik shtesa prej 100 euro për muajin prill mund të ekzekutohet menjëherë, ndërkaq për punëtorët e sektorit privat dhe studentët nevojitet që të hapet procesi i aplikimit.
“Në radhë të parë do të jenë pensionistët që do ta marrin këtë mbështetje shtesë, pastaj do të jenë ata të sektorit publik, kurse për punëtorët e sektorit privat dhe studentët gjatë ditëve në vijim do të hapim procesin e aplikimit, pasi nuk i kemi të dhënat e llogarive bankare”, është shprehur Murati.
“Në radhë të parë do të jenë pensionistët, ata do ta marrin këtë shtesë me pensionin e radhës që do të jetë në fund të kësaj jave, ndërsa punëtorët e sektorit publik do ta marrin në fund të muajit si dhe për skemat sociale do ta marrin me afatin e rregullt. Gjatë ditëve në vijim do të hapet procesi i aplikimit për punëtorët e sektorit privat dhe studentet sepse duhet t’i marrim të dhënat nga ta. Për t’u përmbushur e tërë pakoja e mbështetjes, na duhet që t’i kemi edhe disa ndryshime ligjore, është marrëveshja me Bankën Botërore për zgjerimin e skemës sociale, është Ligji për pagën minimale dhe Ligji për rishikimin e Buxhetit që na mundëson që t’i kemi këto mjete shtesë, për këtë mbështetje shtesë në kuadër të pagës. Ligji për pagën minimale, përveç që rrit pagën, ofron edhe rritje të pagës neto për të gjithë punonjësi”, tha ai.






