Gjykata Themelore në Mitrovicë të enjten i ka dënuar me dy vite burgim, respektivisht tre vite burgim, dy të akuzuarit Adem Brahimaj dhe Bleon Sejdiu, pasi të njëjtit u shpallën fajtor për shkaktimin e një aksidenti rrugor në magjistralen Mitrovicë-Pejë, nga ku kishte humbur jetën një fëmijë.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga gjyqtari i vetëm gjykues Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari i parë Adem Brahimaj u dënua me burgim në kohëzgjatje prej dy viteve, i cili dënim do të ekzekutohet pas marrjes së plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Në kuptim të nenit 59 të KPRK-së, gjykata të njëjtit i shqiptoi dënimin plotësues të ndalimit të drejtimit të automjetit në periudhën prej dy viteve për kategorinë B, dënim ky që do të ekzekutohet nga dita e plotëfuqishmërisë së aktgjykimit.
Ndërsa, ndaj të akuzuarit të dytë Bleon Sejdiu u shqiptua dënimi me burgim në kohëzgjatje prej tre viteve, i cili dënim do të ekzekutohet pas marrjes së plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Në kuptim të nenit 59 dhe 64 të KPRK-së, të akuzuarit Sejdiu gjykata i shqiptoi dënimin plotësues të marrjes së patentë shoferit për kategorinë B, dhe të njëjtit iu ndalua marrja e patentë shoferit të re për të njëjtën kategori, gjatë periudhës prej dy viteve, duke llogaritur periudhën që nga dita kur vendimi merr formën e prerë.
Sipas aktgjykimit, pas skadimit të këtij afati i njëjti mund të marrë lejen e re të vozitjes sipas kushteve të përgjithshme për marrjen e patent shoferit.
Të akuzuarit u obliguan që secili veç e veç të paguajnë shpenzimet e paushallit gjyqësor shumën prej 100 euro, dhe në emër të fondit të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 30 euro.
Ndërsa, në mënyrë solidare në afat prej 15 ditësh nga dita e plotëfuqishmërisë së aktgjykimit, do t’i paguajnë shpenzimet: në emër të ekspertizës së parë të komunikacionit shumën prej 40 euro, në emër të ekspertizës së dytë të komunikacionit shumën prej 250 euro, në emër të pjesëmarrjes së ekspertit në seancë shumën prej 70 euro, në emër të superekspertizës shumën prej 450 euro, në emër të pjesëmarrjes së ekspertëve në seancë shumën prej 140 euro si dhe shumën prej 50 euro në emër të ekspertizës mjeko-ligjore.
Tutje, palët e dëmtuara Fatmire Sejdijaj, përfaqësuesi i së ndjerës prindi Iset Sejdijaj, të dëmtuarit Baki Brahimaj dhe Zefije Smakaj, për realizimin e kërkesës pasurore juridike u drejtuan në kontest civil.
Gjyqtari Beqiri njoftoi se një kopje e aktgjykimit do iu dorëzohet palëve në formë të shkruar në afatin ligjor të paraparë me Kodin e Procedurës Penale.
Ndërsa, palët kanë të drejtë që në afat prej 15 ditësh nga dita kur e marrin aktgjykimin, të paraqesin ankesë në gjykatën e shkallës së dytë kundrejt këtij vendimi.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë me aktakuzën e 14 marsit 2022, i ngarkon të akuzuarit Adem Brahimaj dhe Bleon Sejdiu se më 12 tetor 2020, në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, pikërisht në fshatin Runik, kanë bërë lëshime duke e shkelur Ligjin për Komunikacionin Rrugor.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Bleon ka qenë duke e drejtuar veturën “Opel Vectra”, në rrugën e lartcekur ka hyrë në tejkalim të një automjeti, i cili ka qenë para tij dhe me të arritur paralel me automjetin “Opel Zafira”, të cilin e drejtonte i akuzuari Adem Brahimaj, ky i fundit pa u siguruar në retrovizor dhe në “këndin e vdekur”, merr veprimin e tejkalimit të automjetit i cili ishte para tij dhe më të filluar tejkalimin e godet me pjesën e pasme anësore në pjesën e parë anësore automjetin “Opel Vectra”, të cilin e drejtonte i akuzuari Bleon.
Nga goditja që pëson automjeti “Opel Vectra”, përkatësisht i akuzuari Bleon Sejdiu, humb kontrollin mbi automjet, del jashtë rruge dhe në trotuar godet dy këmbësorë, pastaj në mënyrë të pakontrolluar lëvizë 75 metra nga pika goditëse, kurse automjeti “Opel Zafira” humb kontrollin dhe ndalet nga pika goditëse në një largësi prej 100 metra.
Si pasojë e këtij aksidenti trafiku, shkaktohen dëme materiale në dy kurse, lëndime trupore pësojnë dy pasagjerë që gjendeshin në automjetin “Opel Zafira”, po ashtu këmbësorja Fatmire Sejdiaj, ndërsa fëmija E.S nga lëndimet e marra dërgohet në QKMF në Skenderaj, ku vdekjen e saj e konfirmon mjeku kujdestar. Ndërsa, nga raporti i autopsisë konstatohet se vdekja e tani të ndjerës ka ardhur si rezultat i gjakderdhjes masive trunore, si pasojë e thyerjeve të shumëfishta në kockat dhe bazën e kafkës.
Me çka, secili veç e veç ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” nga neni 370, par. 9 lidhur me par.1 të Kodit Penal.






