Presidentja Vjosa Osmani nuk ia e njeh asnjë kontribut njeriut që e ftoi muaj më parë në zyrën e tij në cilësinë e ish -Presidentit. Ajo tha se shtetet si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania e Turqia kanë merita, jo ndonjë individ. Kreu i AKR’së Behgjet Pacolli që pohon se ka siguruar 43 njohje, nuk është lajmëruar për të komentuar rreth deklaratave të Osmanit.
Pak muaj pasi kishte marrë detyrën Vjosa Osmani, kishte bërë një veprim të pëlqyer. Në zyrën e saj kishte ftuar ish presidentët e shtetit Fatmir Sejdiun, Atifete Jahjagën e Behgjet Pacollin, siç bëjnë shpesh në Amerikë kur Presidenti në detyrë, fton presidentët paraprakë. Ajo kishte shpjeguar se qëllimi i takimit ishte ndërtimi i një kulture të re, kujtese e tradite institucionale. Por të hënën Presidentja “goditi” njërin prej tyre për punën që më së shumti krenohet. Tha se asnjë individ s’ka siguruar njohje, e Behgjet Pacolli pretendon se me angazhimin e tij ka sjellë 43 njohje.
Vetëm nga posti i opozitës këtij shteti ia kam sjellë 43 njohje. Jo me biltetat e shtetit, jo me buxhetin e shtetit, por me fondet e mia. Dhe nëse pyet dikush pse kjo, unë kam vetëm një përgjigje, unë do ta bëjë edhe një herë atë edhe shumë herë, për arsye se ne ndërtojmë shtet për herë të parë dhe për herë të fundit. Por rri vetëm duke shpresuar se një ditë do të vjen ajo ditë që unë mund ta japë kontributin tim, muj me drejtu këtë shtet”, kishte thënë Pacolli në një paraqitje në fushatë zgjedhore të mbajtur para dy vitesh.
Por me këtë nuk pajtohet Presidentja aktuale.
Në një intervistë për ATV, Osmani ka thënë se asnjë njohje për Kosovën s’është meritë e ndonjë individi dhe se të gjitha ato kanë ardhur si rezultat i mbështetjes së shteteve të fuqishme si SHBA, Gjermania, Anglia e Turqia.
“Një gjë të jetë e qartë, për të gjatë gjithë procesit nga viti 2008 e tutje, Kosova është angazhuar, por të gjitha njohjet kanë ardhur për shkak se kemi pasur në krahë shtetet si SHBA-të, Gjermania, Turqia, Mbretëria e Bashkuar. Asnjë njohje, asnjë anëtarësim i Kosovës nuk ka qenë meritë e ndonjë individi në Kosovë, ka qenë bashkëpunim i të gjitha institucioneve me miqtë tanë. Po të mos ishin miqtë tanë nuk do të kishim asnjë njohje, të jeni të sigurt. Jemi të bekuar që i kemi”, ka thënë Osmani për ATV.






