Lokale - eSIMy

Gjeneralët e FSK’së në pension, Agim Çeku, Sylejman Selimi dhe Kadri Kastrati janë takuar sot me Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ata u pajtuan “për interesat nacionale, që janë në përgjegjësi të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes, takimet të ngjashme janë të nevojshme të realizohen edhe në të ardhmen”.

Sipas njoftimit nga Ministria e Mbrojtjes, ministri Mehaj tha se përvoja e tyre është shumë e dobishme.

“Eksperienca e tyre është shumë e rëndësishme edhe për proceset aktuale zhvillimore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së”, citohet të ketë thënë Mehaj.

Njoftimi i plotë:

Ministri Mehaj priti në takim gjeneralët madhor të FSK-së në pension, Agim Çekun, Sylejman Selimin dhe Kadri Kastratin

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj sot ka pritur ish-komandantët e FSK-së, gjeneralët madhor të FSK-së në pension, Agim Çekun, Sylejman Selimin dhe Kadri Kastratin.
Me këtë rast, ish-komandantëve të FSK-së, Ministri Mehaj u shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për kontributin e tyre në UÇK, TMK, FSK dhe Ministrinë e Mbrojtjes, duke theksuar se eksperienca e tyre është shumë e rëndësishme edhe për proceset aktuale zhvillimore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Gjatë diskutimeve shumë përmbajtësore, ndër të tjera ata ishin të një qëndrimi se për interesat nacionale, që janë në përgjegjësi të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes, takimet të ngjashme janë të nevojshme të realizohen edhe në të ardhmen.