Lokale - eSIMy

Me shumë zhurmë kishte nisur puna për parkingun nëntokësor në Prishtinë, atë te Kampusi Universitar, shkruan Reporteri.net.

Punimet që patën nisur në tetor të vitit 2020, megjithëse kontrata ishte nënshkruar në vitin 2019, pritet të përfundojnë verën e këtij viti.

Nga Komuna e Prishtinës, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, theksuan se “ndërtimi i parkingut nëntokësor te Fakulteti Filologjik në kryeqytet pritet të përfundojë gjatë muajit korrik”.

Në përgjigjen për Reporteri.net, nga komuna dhanë edhe detaje tjera.

”Parkingu pritet të përfundojë në korrik 2022. Në total sipërfaqja e ndërtimit të parkingut nëntokësor është afërsisht 23,650m². Në punimin e këtij parking momentalisht janë të angazhuar 70 punëtorë. Vlera totale e parkingut afërsisht 7,000,000 €”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Fillimisht, për këtë parking pati ankesa te vonesat e nisjes së punës, më vonë, ankesa tjera erdhën nga Kampusi i Universitetit, të cilët thonin se parkingu e kishte kthyer kampusin në vendpunishte.

Rektori i universitetit “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, i pati bërë thirrje Komunës që sapo të përfundojnë punimet të kthehet në gjendjen e mëparshme hapësira prej 1.7 hektarësh.

“Kemi marrë njoftimin se ky parking do të përfundojë në korrik dhe ne urojmë dhe ftojmë komunën e Prishtinës që të restauroj atë pjesë e cila do të sjellë qarkullim normal, pasi është dëmtuar shumë”, pati thënë Sahiti.

Një problem tjetër me nisen e këtij parkingu e patën pasur edhe banorët e barakave përreth, të cilët refuzonin të largoheshin nga aty pa iu siguruar një vendbanim i përhershëm. Më vonë, kryetari i atëhershëm, Shpend Ahmeti, i takoi dhe u premtoi zgjidhje.

Pjesa e sipërme e parkingut nëntokësor parashihet të jetë hapësirë e organizuar me gjelbërim dhe për aktivitete rekreative për qytetarët./Reporteri.net/ Përgatiti: Ardona Popova