Lokale - eSIMy

Një punëtor i KEDS-it ka humbur jetën mesditën e së dielës në fshatin Shajkoc të Podujevës, pasi ishte duke tërhequr kabllo elektrike për t’i vendosë në shtyllë, të cilat e kanë përplasur për tokë, raporton Llapi.info.

Xh.G., mbeti i vdekur nga ky rast, ku fillimisht dyshohej se shkaktar ishte nga goditja e një veture. Të njëjtin version e kanë dhënë KEDS-i dhe Policia e Kosovës.

“Fsh. Shajkovc, Podujevë. 03.04.2022-12:17. Raportohet se ka ndodhur aksident trafiku ku një veturë me targa vendore me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar (i mitur) ka goditur këmbësorin, viktimën mashkull kosovar. Si pasoj e aksidentit viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore, dhe është dërguar në QKUK, ku rreth orës 16:20 ka ndërruar jetë. Me vendim te prokurorit trupi i pa jete i viktimës dërgohet ne IML për obduksion ndërsa, ndaj mashkullit kosovar pas intervistimit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka njoftuar sot Policia.

Por, pas rezultateve të obduksionit të trupit të pajetë të të ndjerit, e këqyrjes së kamerave të sigurisë të vendosura në zonë, prokuroria ka ndaluar përgjegjësin e punimeve në KEDS-in.

Pas kësaj, është ardhur në përfundim se punëtori i kompanisë për shpërndarjen e energjisë ka vdekur nga lëndimet e mara nga tërheqja e kabllove të energjisë elektrike.

Siç ka mësuar Llapi.info, prokuroria ka ndaluar përgjegjësin e punimeve në KEDS, A.Canolli.

A.Canolli, 26 vjeçar, me urdhër të prokurorit të rastit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë./Llapi.info