Për vetëm dy vite qeverisje nga Shpejtim Bulliqi, tre drejtorë komunalë në Podujevë kanë ofruar dorëheqje në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.
Dy prej tyre dhanë dorëheqje në kabinetin e parë qeveritar të formuar nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi – ndërsa së fundi në kabinetin e ri dorëheqje ka ofruar edhe një drejtoreshë.
Fillimisht, drejtoresha e Shëndetësisë, Egzona Mustafa, në fund të muajit janar (2021), pati kërkuar lirimin nga kjo detyrë nga kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Asokohe, në një përgjigje për Llapi.info, zëdhënësi i kësaj Komune, Fatri Zhitia, ishte shprehur se Mustafa pati kërkuar lirimin nga detyra, pasi që siç ishte shprehur ai, Mustafa do të niste specializimin.
“Mustafa është liruar nga detyra pas kërkesës së saj, pasi nga 1 shkurti fillon aftësimin profesional – specializimin”, ishte shprehur Zhitia.
Në këtë dikaster, pas lirimit nga detyra të Mustafës, në krye të drejtorisë së Shëndetësisë ishte emëruar Driton Veliu, i cili me profesion është stomatolog. Veliu edhe tani është drejtor i Shëndetësisë në Podujevë.
Lirim nga detyra nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratit kishte kërkuar gjatë mandatit të parë të Bulliqit edhe ish-kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës, Ajet Potera. Ky i fundit u liruar nga detyra në prill të vitit 2021.
Në një reagim në faqen zyrtare të Komunës së Podujevës ishte bërë e ditur se Potera, siç citohej në reagim, ishte liruar për shkak të angazhimeve të tjera. Në vend të tij ishte emëruar Bedri Macastena, i cili e çoi deri në fund në krye të kësaj drejtorie – deri në zgjedhjet e fundit lokale.
E, sot, Bahrije Shatrolli – Mehmeti është liruar nga drejtoresha për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi. Kështu ka njoftuar Komuna e Podujevës në një postim në Facebook.
“Lirohet nga detyra e Drejtoreshës për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi Bahrie Shatrolli-Mehmeti, emërohet Saranda Stublla. Me kërkesë të Drejtoreshës Bahrie Shatrolli-Mehmeti për ta liruar nga detyra e Drejtores për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi, për shkak të angazhimeve profesionale ajo është liruar”, thuhet në njoftim.
Në vend të saj, ish-kandidatja për asamble komunale nga Lëvizja Vetëvendosje, Saranda Stublla është emëruar drejtoreshë në këtë dikaster.
Aktualisht Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës ndajnë pushtetin në Podujevë. Përveç kryetarit të Kuvendit, PDK ka edhe dy drejtori, atë të Bujqësisë dhe Administratës./Llapi.info






