Lokale - eSIMy

Një punëtor i KEDS-it ka humbur jetën si pasojë e goditjes që ka marrë nga një makinë në fshatin Shajkoc të Podujevës, raporton Llapi.info.

Lajmin e ka konfirmuar vetë KEDS-i përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ku thuhet se punëtori është aksidentuar gjatë kryerjes së detyrës.

“Sot rreth mesditës një punëtor i yni gjatë kryerjes së detyrës është aksidentuar për vdekje nga një veturë në Podujevë. I ndjeri ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar me urgjencë në QKUK. Por, përkundër përpjekjeve të mjekëve, nuk ka arritur të mbijetojë. Ky rast na ka tronditur pamasë, jemi të shokuar. Në këto rrethana të rënda bashkëndjejmë me familjen. Të njëjtën kohë ftojmë organet e rendit dhe drejtësisë të kryejnë punën e tyre në ndriçimin e plotë të këtij aksidenti”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Siç ka mësuar Llapi.info, tashmë i ndjeri që ka humbur jetën nga ky aksident është Xhevat Gashi nga fshati Dobërdol i Komunës së Podujevës.

Llapi.info ka raportuar se tashmë i ndjeri kishte qenë duke intervenuar në disa pjesë të këtij fshati, ku kishte pasur probleme me energji elektrike./Llapi.info

Llapi.info ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes: