Lidhja Demokratike e Kosovës, gjegjësisht Sektori për Ekonomi ka dalë me qëndrim për tërheqjen e mjeteve të Trustit.
Gazeta Blic e ka siguruar ekskluzivisht qëndrimin e këtij sektori.
LDK në parim mbështet tërheqjen e mjeteve të Trustit, por që ka tri kushte.
“1. Të përcaktojë nivelin (përqindjen) e lejuar të tërheqjes së fondeve nga TRUST-i;
2. Të garantojë kompensimin e këtyre fondeve të tërhequra nga TRUST-i dhe
3. Ta realizojë kompensimin në një afat kohor sa më të shkurtër, para se qytetarët dhe familjet e Kosovës të shndërrohen në raste sociale.”, thuhet ndër të tjera në qëndrimin e këtij sektori.
Në vazhdim e gjeni të plotë
Tërheqja e mjeteve të kursyera nga TRUST-i
Qeveria e Kosovës ka injoruar të gjitha rekomandimet konkrete të LDK-së, ekspertëve dhe shoqërisë civile mbi masat dhe hapat që do të duhej t’i ndërmerrte për të menaxhuar krizat e njëpasnjëshme që rëndojnë mbi qytetarët e Kosovës.
Qeveria injoroi paralajmërimet e LDK-së qysh në pranverën e vitit 2021 se çmimet e energjisë elektrike mund të rriteshin në periudhën vjeshtë-dimër 2021-22. Qeveria injoroi edhe rekomandimet konkrete të LDK-së për të zbutur këtë rritje të çmimeve: negocimi dhe nënshkrimi i hershëm i kontratave afatgjata për furnizimin me energji elektrike, remonti i blloqeve të termocentraleve të KEK-ut, zvogëlimi i TVSh-së në faturat e energjisë elektrike.
Qeveria injoroi rekomandimet e LDK-së për të zbutur krizën e çmimeve të produkteve esenciale, veçanërisht ushqimit dhe karburantëve. LDK propozoi ulje të TVSh-së në produktet ushqimore dhe eliminim të akcizës doganore për një periudhë tre deri në gjashtë muaj.
Përtej injorimit të të gjitha masave konkrete të rekomanduara nga LDK-ja, Qeveria nuk ndërmori asnjë masë tjetër, nuk ofroi asnjë alternativë. Thjeshtë, vështroi krizën nga distanca.
Si rezultat i neglizhencës së Qeverisë, injorimit nga ana e tyre e rekomandimeve konkrete të LDK-së si dhe mungesën e çfarëdo masash tjera alternative, qytetarëve të Kosovës nuk u mbetet alternative tjetër përveçse të tërheqin një pjesë të kursimeve të tyre pensionale nga TRUST-i.
I takon Qeverisë së Kosovës, siç kishte bërë nën udhëheqjen e LDK-së:
i. Të përcaktojë nivelin (përqindjen) e lejuar të tërheqjes së fondeve nga TRUST-i;
ii. Të garantojë kompensimin e këtyre fondeve të tërhequra nga TRUST-i dhe
iii. Ta realizojë kompensimin në një afat kohor sa më të shkurtër, para se qytetarët dhe familjet e Kosovës të shndërrohen në raste sociale.






