Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është takuar sot me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, shkruan Llapi.info.
Në këtë takim, Bulliqi ka thënë se Bislimit i ka shprehur disa ankesa, njëra prej tyre, për dinamikën e punimeve në rrugën nacionale që lidh Llapin me kryeqytetin.
“Takim shumë konstruktiv kam zhvilluar me zëvendës kryeministrin, Besnik Bislimi, me të cilin diskutuam për shumë projekte zhvillimore në Komunën e Podujevës. Atij i shpreha edhe disa ankesa në lidhje me zbatimin e projekteve dhe nevojave të komunës në funksionim më të mirë të institucioneve si; ngecjet në projektin e magjistrales Podujevë-Prishtinë, funksionalizimin e shërbimeve specialistike, shtimin e personelit mjekësor në QKMF, shtimin e numrit të zjarrfikësve, përshpejtimin e procedurave për Zonën Industriale e tema të tjera. Zv Kryeministri Bislimi u zotua se do të punojë në azhurimin e këtyre punëve dhe projekteve në bashkëpunim me ministritë e linjës. Në takim ishte edhe drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani”, ka shkruar ai./Llapi.info






