Lokale - eSIMy

Me datë 28 mars 2022 (e hënë), një person me probleme psikologjike, ka tentuar t’i sulmojë me thikë nxënësit e shkollës fillore “Shaban Shala”, në Podujevë, raporton Llapi.info.

Kjo informatë është bërë e ditur nga Stacioni Policor në Podujevë, në një përgjigje për Llapi.info, ani pse përgjigja ishte rreth një pyetje krejtësisht tjetër.

Derisa policia arsyetonte parkimin e veturës zyrtare në trotuar përball shkollës fillore “Shaban Shala – tregonte se një gjë e tillë kishte ndodhur për shkak të rrezikshmërisë së situatës, për shkak që kishin marrë informata se një person me probleme psikologjike kishte tentuar t’i sulmojë me thikë disa nxënës të shkollës.

Reagimi i shpejtë i ekipeve policore, ka bërë që ky rast të përfundojë pa asnjë incident.

Përgjigja e plotë nga Policia e Kosovës – Stacioni Podujevë:

Ju informoj rreth postimit të djeshëm në faqen tuaj rreth bllokimit të trotuarit nga Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor Podujevë.

Ishte rasti në Rr. ‘’Dr.Bajram Krasniqi’’ , përballë shkollës fillore ‘’Shaban Shala’’ që ka ndodhur me datën 28.03.2022 pas orës 15:00 ku ishte informata se një person i sëmurë mental ishte duke ndjekur disa fëmijë me një mjet të mprehtë -thikë .

Aty janë angazhuar dy njësi ku njëra ishte me veturën e cila edhe ishte parkuar aty, andaj duke parë seriozitetin e reagimit dhe arrestimin pastaj të personit të dyshuar situata ishte emergjente dhe në raste të tilla prioritet është shpëtimi i jetës dhe arrestimi i të dyshuarit. Andaj parkimi në trotuar i veturës së Policisë ishte për këtë arsye.