Lokale - eSIMy

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për vonesa në subvencione, derisa ka thënë se jeta e qytetarëve po vështirësohet, transmeton Reporteri.net.

Hoti, në Kuvend, ka shpalosur 3 propozime për Qeverinë.

“Janë 3 probleme që e kanë vështirësuar jetën e qytetarëve. Kriza energjetike, kriza me çmime, dhe lufta në Ukrainë. Për shkak të këtyre problemeve, jeta e qytetarëve është duke u vështirësuar. Secilës familje u janë rritur kostot e jetesës, nga 150 në 200 euro në muaj. Është e pashmangshme të dizajnohen pakot e ndihmës. Kriza sociale është e madhe. Vonesat vetëm po shtojnë problemet e famljes”, tha Hoti.

Hoti ka dhënë 3 propozime, në emër të LDK-së, për Qeverinë e Kosovës.

“Masa 1 – Masa e parë është indeksimi i pensioneve dhe ndihmave sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike, që nënkupton e tyre për aq sa janë rritur çmimet e produkteve ushqimore bazike. Kjo masë i prekë të gjithë qytetarët mbi moshën 65 vjeçare, si dhe të tjerë që marrin çfarëdo asistence nga shteti. Masa 2 – Masa e dytë është rritja e subvencioneve në bujqësi për shkak të rritjes tej mase të çmimit të farërave, plehrave dhe inputeve të tjera për bujqësi. Kjo rritje e subvencioneve siguron që rreth 1/3 e familjeve kosovare të mbajnë nivelin e të ardhurave që marrin nga aktiviteti i tyre bujqësorë. Masa 3 – Masa e tretë është rritja e menjëhershme e pagës minimale sipas një indeksi që merr parasysh koston e jetesës, si dhe rritjen e pagave në sektorin publik gjithashtu bazuar në një indeksim për koston e jetesës. Këtu nuk duhet hedhur poshtë edhe propozimi për tërheqje të një shume të kursimeve pensionale, por një shume më të vogël sesa ajo që është propozuar me qëllim të ruajtjes së stabilitetit afatgjatë të kursimeve për sigurinë e të ardhurave për pensionistët e ardhshëm. Kjo masë prek të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe privat”, u shpreh Hoti.