Sipërfaqe të shumta me pyje, shkurre dhe livadhe janë përfshirë nga flakët gjatë së premtes nëpër disa zona të Podujevës, shkruan Llapi.info.
Për t’i shuar ato, është dashur edhe intervenimi i Brigadës së Zjarrfikësve të Podujevës. Njëri pjesëtar i kësaj brigade ka publikuar pamje nga ky intervenim.
Nga gjithë kjo situatë, Xhavit Avdiu ka specifikuar një rast të sotit. Në një postim në Facebook, ai ka thënë se në fshatin Bervenik për pak është shpëtuar një breshkë nga zjarri.
“Sot, ekipi i zjarrfikësve në Podujevë është përballur me shumë zjarre në disa lokacione, por në fshatin Bervenik, duke fikuar zjarrin malor, Vedat Shala has në një breshkë të pafajshme, e cila fatmirësisht shpëtohet nga duar e këtij zjarrfikësi pa u djegur për së gjalli. Edhe kjo ka shpirt”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe, zona të shumta malore dhe fushore në Kosovë edhe sot kanë qenë të përfshirë nga flakët, si pasojë e zjarreve të ndezura nga vetë njeriu./Llapi.info








