Lokale - eSIMy

Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ka theksuar se ka një kohë të është në institucionet e Kosovës dhe se është angazhuar për një pozitë më të mirë të serbëve, porse, sipas tij, tani situata është aq serioze, sa që është i mendimit se serbët duhet të largohen nga institucionet e Kosovës, raporton RTS.

Situata në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më e rëndë, kur bëhet fjalë për pozitën e popullit serb, kanë thënë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, pas takimit që patën dje në Beograd me krerët shtetëror të Serbisë.

Sipas tyre, autoritetet në Prishtinë “po ushtrojnë dhunë institucionale dhe po shkelin të drejtat themelore të njeriut”.

“Situata është tejet dramatike, jemi nën trysni. Vendimet e pushtetit janë deri në atë masë të rrezikshme, sa po rrezikojnë të drejtat tona të njeriut, jemi të kriminalizuar, jemi të kërcënuar institucionalisht dhe në çdo mënyrë tjetër të mundshme”, tha Jevtiq, duke përkujtuar arrestimet e serbëve për kinse korrupsion dhe bastisjet në shtëpitë e tyre.
I pyetur se çfarë efekti dëshirojnë të arrijnë me largimin nga Institucionet e Kosovës, Jevtiq tha se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e asaj që e quajti “dhunë institucionale ndaj serbëve”.“
Ka të drejtë Presidenti kur pyet se çfarë do të bëjmë të nesërmen, por as sot, as dje nuk e kemi mirë, nuk ka qenë mirë as të gjitha ditëve tjera paraprake. Kjo është hera e parë që nuk jemi pajtuar me Presidentin Vuçiq”, tha Jevtiq.

Megjithatë, ai shtoi se i beson Vuçiqit. “Vuçiqi insistoi se duhet të sjellim vendime me kokë të kthjellët dhe të ftohtë, që ti shikojmë të gjitha rrethanat. Disa largimin tonë do ta shfrytëzonin për trysni ndaj Vuçiqit dhe Beogradit dhe kjo më pas ndikon në Beograd dhe jetën në Serbinë qendrore. Ne, si përfaqësues të serbëve dhe shteti i Serbisë kemi bërë çdo gjë, që kjo mos të ndodhë. Tani çështja është se çfarë duhet të bëjë Prishtina”, tha ai.

Jevtiq tha se është folur edhe për largimin e serbëve nga policia dhe Gjykatat.“Madje edhe në këtë segment nuk respektohet ajo që është në ligjet e Kosovës, se serbët duhet të jenë 10 për qind, ndërsa sot kemi rreth 4 për qind në krahasim me numrin e shqiptarëve”, tha Kryetari i Komunës së Shtërpcës, duke theksuar se ata nuk duhet të lejojnë të jenë në institucione vetëm sa për të thënë se ka serbë aty.

Ai më tutje shtoi se siguria e serbëve është e kërcënuar, përkundër faktit se ata janë të përfshirë në polici dhe Gjykata.

“Mendoj se kemi arritur në momentin ku mbijetesa jonë është e rrezikuar. Nëse dikush në shekullin e 21-të me shfrytëzimin e institucioneve arreston serbët pa dëshmi, hyn nëpër shtëpi, nuk i lejon të votojnë, atëherë shtrohet pyetja se cila është sot situata e sigurisë. Atë që kemi bërë ne është lufta demokratike për të drejtat tona, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe të Quintit kanë thënë se kanë rekomanduar që zgjedhjet të mbahen, por po e shohim se kjo nuk do të ndodhë”, tha Jevtiq.

Ai paralajmëroi se nga e premtja do të organizohen protesta paqësore në Mitrovicën Veriore dhe në Graçanicë.“Protesta me të cilat do të dërgojmë porosinë e qartë se nuk do të heshtim. Pyetja kryesore është se si dhe në çfarë mënyre do të rregullojmë pozitën e serbëve në të ardhmen”, tha Jevtiq.