Lokale - eSIMy

Gjykimi për vrasjen që ka ndodhur në vitin 2020 në Prishtinë, për të cilën po akuzohet Eduard Ibrahimi, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve, G.Sh. i cili ka qenë dëshmitar në vendin e ngjarjes dhe A.Z. zyrtar policor i cili është marr me rastin. Seanca ka filluar me dëgjimin e dëshmitarit G.Sh.

Ibrahimi po akuzohet se më 12 mars 2020 e ka privuar nga jeta të miturin, tani të ndjerin L.B., dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve R.G. dhe B.S.

Ndërsa, Përparim Ibrahimi po akuzohet se e kishte ndihmuar të akuzuarin Eduard Ibrahimin për të fshehur armën me të cilën ky i fundit e kishte privuar nga jeta të ndjerin L.B. Kurse, Lirim Begolli po akuzohet se pasi dy të akuzuarit Ibrahimi dhe Matoshi kishin kryer veprën penale, i njëjti i kishte strehuar në shtëpinë e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, i akuzuari Egzon Matoshi në seancën e 20 majit 2021, e kishte pranuar fajësinë që e kishte ndihmuar të akuzuarin Eduard Ibrahimi që të kryejë vrasjen.

Dëshmitari G.Sh. gjatë marrjes në pyetje nga prokurori Hivzi Bajraktari, ka thënë se në ditën kritike ka qenë duke shkuar me veturë në shtëpinë e tij, ku para se të mbërrinte në kthesën e shtëpisë, në anën e majtë të trotuarit i kishte parë tre persona, ndërsa para tij kishte qenë një motor i verdhë me një djalë në motor, dhe një djalë tjetër i cili kishte qenë me armë në dorë në drejtim tre personave e tretë.

I njëjti ka thënë se ky person ka shtënë në drejtim të tyre e më pas kishte hipur në motor dhe ishin larguar në drejtim “Kodrës së Trimave”.

Tutje, dëshmitari G.Sh. ka thënë se fillimisht e ka parkuar veturën para shtëpisë së tij, e kishte thirrur Policinë se ishte kthyer në vendin e ngjarjes ku e ka parë edhe një familjarë i cili kishte qenë duke bërtitur “ma vranë L., ma vranë shokun”.

Ai tha se afër të ndjerit e kishte parë një armë të çmontuar, ndoshta në anën e djathtë të tij dhe se ai kishte pasur gjakderdhje nga koka.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Tahir Rrecaj, si mbrojtës i të akuzuarit Eduard Ibrahimi, dëshmitari G.Sh. tha se personi me armë në dorë ka qenë në drejtim të kundërt të motorit kurse në drejtim të tre personave dhe dorën me armë e kishte pasur në pozitën e shtrirë.

Tutje, ai ka shtuar se është kthyer në vendin e ngjarjes sepse aty e ka pasur familjarin e tij, kurse nuk e din nëse i ndjeri ka folur diçka.

Në pyetjen e avokatit Rrecaj se si e kuptove se arma ishte e çmontuar nëse nuk ke pa pjesë të çmontuara, dëshmitari ka thënë se ka parë armë të paktën një herë në jetë dhe se e dinte kur është e çmontuar, ndonëse nuk është ekspert i armëve.

Kurse, pyetjen e prokurorit Bajraktari gjatë rimarrjes në pyetje se a e kanë mundur ta vërejnë këta tre persona, personin tjetër duke shkuar me armë në dore në drejtim të tyre, është kundërshtuar nga avokati Rrecaj, kundërshtim të cilin e ka pranuar trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni.

Ndërsa, pyetjes së anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Avni Syla, nëse ka mundur të vërejë në duart e këtyre personave diçka, dëshmitari G.Sh. ka thënë se rasti ka qenë 10 sekonda punë dhe se nuk mban mend nëse ata kanë pasur në duar diçka e as nuk e di se si kanë reaguar.

Tutje, dëshmitari ka thënë se qëndron pranë të gjitha deklarimeve të dhëna në prokurori dhe në seancën e sotme.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit A.Z., pjesëtar i Policisë së Kosovës i cili është marr me ndriçimin e këtij rasti.

Ai ka deklaruar se në datën e ngjarjes kritike ka qenë i caktuar që të asistojë ekipin për hetimin e veprave penale të vrasjes, ashtu që ka pasur obligim të bëjë bastisjen e atëherë të dyshuarve, Eduard Ibrahimi dh Egzon Matoshi.

I njëjti tha se fillimisht kanë shkuar për bastisje në shtëpinë e Eduard Ibrahimi, ku sipas tij, prezent kishin qenë nëna e Eduardit, daja i tij dhe djali i axhës Përparim Ibrahimi.

Sipas tij, nëna e Eduardit i kishte thënë se nuk e dinë vendndodhjen e tij, kurse kishin vërejtur se Përparim Ibrahimi kishte qenë shumë i shqetësuar dhe iu kishte dridhur trupi, e që pas kësaj kishin shkuar në bastisje edhe në shtëpinë e të dyshuarit tjetër, Egzon Matoshi.

Dëshmitari A.Z. tha se ishin munduar të gjejnë lokacionin se ku ishin fshehur të dyshuarit, andaj në bazë të disa informatave të mbledhura, ditën e nesërme kishin shkuar për bastisje në fshatin Tërrnavë, tek shtëpia e dajës së Eduard Ibrahitmit, tek Sadri Begolli.

Ai ka thënë se njërin hetues e kishin lënë te hyrja, kurse vet ai dhe një hetues tjetër kanë vazhduar rreth murit të oborrit të shtëpisë, ku rreth 20 metra larg kishin parë tre persona të ulur.

“Me t’i parë kemi bërtitur Policia, ndërsa këta kanë filluar me vrapu, njëri prej tyre, ma vonë e kemi kuptuar që është Lirim Begolli, është shmang në anën e djathë. Ne i kemi parë dy të dyshuarit dhe kemi vrapuar mbas dy të dyshuarve Eduardit dhe Egzonit. Paraprakisht kemi thirr asistencë nga stacioni policor i Orllanit dhe kemi vazhduar mbas tyre, policët i kanë dalë përpara dhe kemi arritur me i arrestuar, diku rreth 2 km larg shtëpisë”, ka thënë.

E po ashtu, ai ka thënë se arma më vonë është gjetur tek Përparim Ibrahimi, por që në atë bastisje nuk kishte marr pjesë ai personalisht.

Në pyetjet e avokatit Halit Shaljani, si mbrojtës i të akuzuarit Përparim Ibrahimi , dëshmitari A.Z. ka thënë se gjatë bastisjes së shtëpisë së Eduardit, me Përparimin kanë biseduar por që i njëjti nuk është intervistuar atë ditë dhe se nuk i kishte parashtruar pyetje lidhur me armët.

Ndërsa në pyetjet e avokatit Naim Aliu, si mbrojtës i të akuzuarit Lirim Begolli, dëshmitari tha se Lirimi ishte shmangur nga ana e djathtë se kishte hyrë në shtëpinë e një fqinji të tij, e që mbas gjysmë ore kur ishin kthyer për bastisje të shtëpisë, ai ishte kthyer vet bastisja ishte bërë në prezencë të tij.

Tutje, në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Alban Ajvazi se a mund të konstatohet se kur është kryer bastisja tek Eduardi, Përparimi e ka pasur armën e Eduardit, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale por nuk e ka deklaruar, dëshmitari A.Z. ka thënë se po.

Pas tij, është dëgjuar eksperti i mjekësisë ligjore Naim Uka, i cili ishte propozuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Eduard Ibrahimi, që të sqarohet fakti nëse i ndjeri L.B. ka qenë në gjendje që ta përdor armën pasi që është qëlluar nga tani i akuzuari Eduard Ibrahimi, apo ka ndodhur e kundërta që tani i ndjeri, i pari të ketë shtënë me armë.

Ai në pyetjen e avokatit Rrecaj tha se kjo është pyetje shumë e përgjithshme dhe duke pas parasysh plagën vdekjeprurëse tek tani më i ndjeri, në praktikat mjeko-ligjore haset në raste shumë të rralla kur në një gjendje të tillë vazhdojnë të funksionojnë aftësitë moterike individuale.

Eksperti Uka ka thënë se ka përshkrime të dëmtimeve në raportin e autopsisë të cilat nuk janë përfshirë në fletë-lëshimin e QKUK-së si dhe ka sqaruar dëmtimin e konstatuar se në regjionin ballor dhe muror në kafkës mungon pjesa kockore e zhvendosur në regjionin e majtë të barkut për konservim operator.

“Gjatë intervenimit hospitalor në rastet e ngjashme kur ka plagë serioze të rrezikimit të shëndetit, ekipi kirurgjik operator vendos të tërhiqet pjesa kockore e kafkës në regjionin ku është evidentuar plaga duke u zhvendosur si e tillë në regjionin e majtë të barkut ashtu që, ruhet që të rikthehet në funksion në rastet e sukseseve post operator. Për të thjeshtuar, largohet pjesa kockore, hapet në regjionin e majtë të barkut nën lëkurë dhe vendoset pjesa kockore e larguar nga regjioni i kokës”, tha eksperti Uka.

Po ashtu eksperti Uka ka deklaruar se ka qenë e pamundur të vërtetohet trajektorja e prerjes për shkak të intervenimeve operatore-spitalore në indin e butë truror të të ndjerit kurse lidhur me thyerjen kockore në regjionin muror të dy anëve të kokës ka thënë se supozohet se thyerja e anës së majtë murore të kokës, ka ardhur si rezultat goditjes nga predha e hedhur nga arma e zjarrit e cila ka pasuar me rikoshe dhe si e tillë është gjetur në anën e djathtë murore të kokës.

I njëjti ka deklaruar se si rezultat i dëmtimeve të shumëfishta traumatike të shoqëruara me gjakderdhje masive trunore, pason humbja e vetëdijes në disa sekonda.

Kurse në pyetjet e prokurorit Bajraktari ka thënë se në mungesë të vrimës dalëse nuk mund të deklarohet lidhur me pozitat e të ndjerit dhe të pandehurit, por që bazuar në faktin e vetëm, vrimës hyrëse, sipas tij pozicioni ka qenë vertikal apo në këmbë dhe logjikisht edhe pozicioni i të pandehurit ka qenë i njëjtë.

Ndërsa në pyetjen e kryetares të trupit gjykues Hasaj-Hyseni, se pas këtij lëndimi, a ka mundur me ndërmarr çfarëdo veprimi konkret tani i ndjeri, eksperti Uka ka thënë se në një gjendje të tillë nuk ka qenë e mundur që të ketë ndonjë veprim që bazohet në forcën fizike të personit që pëson lëndime të tilla.

Tutje, në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohet edhe eksperti i armëve, por si pasojë i një gabimi teknik është referuar gabimisht eksperti i daktiloskopisë, andaj avokati Rrecaj ka thënë që mbrojtja ka propozuar të dëgjohet eksperti i armëve, kontretisht Hyrije Hoxha apo Ilir Kukaj si përpilues të raportit të rastit konkret.

Seanca e radhës është caktuar më 28 prill 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur më 18 nëntor 2020, Eduard Ibrahimi akuzohet se më 12 mars 2020, rreth orës 15:00, në Prishtinë, e ka privuar nga jeta të miturin L.B., dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve R.G. dhe B.S.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Ibrahimi kishte pasur konflikt disa ditë më parë me të ndjerin L.B, dhe se vrasja kishte ndodhur derisa i ndjeri kishte qenë duke ecur rrugës së bashku me të dëmtuarit R.G. dhe B. S., nga drejtimi i lagjes “Arbëria” në drejtim të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, pas tyre kishin shkuar me motoçikletë-skuter i pandehuri Ibrahimi dhe i pandehuri Egzon Matoshi, të cilin e kishte drejtuar Ibrahimi, ndërsa prapa tij ka qenë ulur i pandehuri Egzon Matoshi.

Aty thuhet se kur janë afruar përafërsisht 10 metra, i pandehuri Eduard Ibrahimi e ka ulur shpejtësinë e lëvizjes dhe ka zbritur nga motoçikleta, të cilën e ka mbajtur i pandehuri Egzon dhe pastaj menjëherë i pandehuri Eduard e kishte nxjerr nga brezi pistoletën dhe kishte shtënë në drejtim të të ndjerit L.B, duke e qëlluar në kokë, e pastaj të dy kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në ato çaste dëshmitarët e lartcekur dhe kalimtarët e rastit ofrohen për t’i dhënë ndihmë L.B., por tani i ndjeri kishte pësuar dëmtime të rënda dhe pas disa minutave është dërguar për ndihmë mjekësore, ku edhe përkundër ndihmës mjekësore të ofruar nga mjekët në QKUK, kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Sipas prokurorisë, pranë vendit të ngjarjes ishte gjetur një armë zjarri pistoletë e gazit “Ekol Special”, me mbushje të barotit, si dhe një gëzhojë e kalibrit 7.65x17mm që është shkrepur nga kjo pistoletë, si dhe një gëzhojë e shkrepur nga pistoleta e të pandehurit.

Për këto veprime prokuroria Eduard Ibrahimin po e ngarkon me veprën penale “vrasja e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa të akuzuarin Egzon Matoshi, me veprën penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Për të njëjtën vepër penale po akuzohet edhe Përparim Ibrahimi, i cili thuhet se i ka dhënë ndihmë të pandehurit Eduard Ibrahimi, duke i fsheh mjetet, provat e kryerjes së veprës penale. Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që pasi i pandehuri Eduard Ibrahimi e ka kryer veprën penale të përshkruar si në pikën e parë të aktakuzës, ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe ka shkuar tek i pandehuri Përparim Ibrahimi dhe të njëjtit ia ka dhënë armën e zjarrit pistoletë, me mbishkrim “Zragy” të njëjtën i pandehuri Përparim e ka fshehur tek shtëpia e tij ku më 13 mars 2020, arma e lartcekur është sekuestruar nga policia.

Tutje, ai akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi sipas prokurorisë, nga 12 deri më 13 mars 2020 kur edhe i është sekuestruar arma nga policia, atë e ka mbajtur në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla, me të cilën Eduard Ibrahimi e ka kryer veprën penale të përshkruar si në pikën e parë të aktakuzës.

Edhe i pandehuri Lirim Begolli po akuzohet se u ka dhënë ndihmë kryesve pas kryerjes së veprave penale, të pandehurit Eduard Ibrahimi dhe të pandehurit Egzon Matoshi. Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që pasi dy të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara si më lartë, i pandehuri Lirim Begolli ka shkuar me veturën e tij të tipit “Golf 3” te shkolla “Zenel Hajdini” në Prishtinë, i ka marrë të pandehurit e lartcekur dhe i ka strehuar në shtëpinë e tij, në fshatin Tërnavë të Komunës së Podujevës, ku edhe janë arrestuar nga policia.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.