Lokale - eSIMy

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi thotë se paga minimale, të cilën Qeveria Kurti është shprehur se do të bëjë prej 264 euro, nuk mbulon as minimumin e minimumit të mbijetesës sipas një llogarie të bërë nga kjo sindikatë. Ai në një bisedë për Gazetën Online Reporteri.net thotë se edhe Qeveria Kurti sikurse Qeveritë e tjera kanë bërë premtime, por kanë ngecur në realizimin e tyre, siç e quan ai total.

Kryeministri Kurti është zotuar për ngritjen e pagës minimale nga 170 sa është ne 264 euro. Por, për kryetarin e SPKSPK-së, Jusuf Azemin, kjo pagë nuk mbulon minimumin e mbijetesës.

“Paga minimale prej 264 eurosh nuk mbulon as minimumin e minimumit të mbijetesës, sipas një llogarie që e kemi bërë ne, 460 euro janë vetëm për ushqim edhe atë me byrek, pra për 4 anëtarë nga 50 euro rrymë”, thotë, për Gazetën Online Reporteri.net, Azemi.

Tutje, Azemi tha se veprimi nga kjo sindikatë është që mos të nënshkruhet kontratë pune nën pagën 400 euro, ku sipas tij pagën e cakton punëdhënësi dhe punëtori, jo Qeveria.

“Veprimi jonë ka qenë edhe është që mos të nënshkruhet kontratë pune nën 400 euro, e kjo po ndodhë, por pagën e cakton punëdhënësi dhe jo Qeveria”, shton ai.

Sipas Azemit edhe Qeveria Kurti, sikurse edhe Qeveritë e kaluara kanë ngecur në realizimin e premtimeve.

“Kjo Qeveri sikurse edhe ato tjerat nuk ndryshon, kanë dhënë premtime, por kanë ngecë në realizimin e tyre total”, shton ai.

Veç të tjerash, Azemi gjykon se punëdhënësit për mosdeklarimin e punëtorëve duhet dënuar, por që sipas Azemit, të njëjtit kanë lidhje me shtetin.

“Punëdhënësit për modeklarimin e punëtorëve përveç që duhet dënuar, mendojmë se këta pronarë kanë lidhje me shtetin, pasi që nuk kishte guxuar askush ta bëjë këtë pa një mbështetje nga jashtë”, gjykon ai.

Vlen të përmendet se reagimi i Azemit vjen si rezultat i ngritjes së çmimeve në vend, pas ngritjes së çmimit të energjisë elektrike e deri tek ngritja e çmimeve të produkteve bazë si vaj, sheqer, miell, bukë si dhe ngritja e çmimit të derivateve si rezultat i agresionit rus në Ukrainë.

Foto e përllogaritjeve të dërguara nga Azemi: