Kryetari i Komunës së Gjilani, Alban Hyseni, ka thënë se qeverisja e tij ka trashëguar borxhe të shumta nga qeverisja e kaluar.

Në një postim në Facebook, Hyseni ka treguar se si një shtyllë sinjalizuese është paguar nga komuna deri në 10 herë më shtrenjtë se çmimi i tregut. Ai thotë se një shtyllë e tillë është paguar mbi 10 mijë euro, përkundër që e njëjta gjendet edhe me një mijë euro.

“Një nga arsyet pse komuna ka akumuluar borxhe të mëdha në vitet e kaluara, janë edhe kontratat shumë herë më të shtrenjta të paguara në krahasim me çmimet reale në treg. Rasti në fjalë tregon se si një shtyllë sinjalizuese është paguar nga komuna deri në 10 herë më shtrenjtë se çmimi i tregut. Përtej konstatimit, sigurojmë qytetarët tanë se keqmenaxhime të tilla nuk kanë ndodhur e nuk do të ndodhin në asnjë lloj forme gjatë qeverisjes tonë. Transparenca, informimi i qytetarëve është tejet i rëndësishme për ne, si për punët aktuale, ashtu edhe për abuzimet e kaluara”, ka shkruar ai.