Lokale - eSIMy

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Qeveria po tallet me studentë, invalidë e pensionistë, pas shfuqizimit të vendimit për përgjysmimin e çmimit të biletave.

Sipas Bajramit, “shfuqizimi i vendimit për përgjysmimin e çmimeve të biletave për disa kategori është lojë e zyrtarëve praktikantë të Qeverisë”.

“Siç e kam thënë në fillim se ai vendim ishte i pazbatueshëm e përsëris edhe sot se para vendimit do të duhej të merreshin një sërë masash për të mbajtur në fuqi një vendim, i cili ishte në të mirë të qytetarëve por që ishte i pazbatueshëm nga kompanitë e transportit. Vendimi i sotëm i Qeverisë përkatësisht Ministrisë së Transportit tregon talljen më votën e popullit. Pra, kjo Qeveri po luan me kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë. Po tallen me studentë, po tallen me pensionistë, po tallen me invalidë të luftës, po tallen me invalidë të punës dhe me fëmijë, kategori këto që u ishte thënë se iu përgjysmohet çmimi i biletave”, ka shkruar Bajrami në profilin e saj në Facebook.

Më 11 mars, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kishte njoftuar për vendimin për përgjysmimin e çmimit të biletave të autobusëve ndërurban për fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët. Por të premten, pas një takimi me Shoqatën e Transportit Rrugor, Durmishi ka thënë se një vendim i tillë është shfuqizuar.