Lokale - eSIMy

Shkruan Çun Lajçi:

Unë s’dua me ditë ma shumë se Fishta!

Pse duhet lavdua Albini e pse duhet akuzua Ramushi, (siç po bajnë do e do), pa ia lidhë grykën thesit e pa i ra okllagi miellit n’tepsi?
Pse duhet mallkua kopilani, e pse duhet bekua komandanti, pa i zie kungujt e pa i pjekë gështenjat n’prush?
Pse duhet me naltësua e pse duhet me poshtnua njeriun, pa i thye arrat me dhambët e pjekunisë?
Pse duhet t’vdesësh me f’tyrën që linde e pse duhet të zhveshësh prej f’tyrës se huazueme, kur nji derë do t’mbyllet e nji dritare do t’hapet!?
Nji gropë do t’na pret me grada e pa grada, me pare e pa pare me xhepa e pa xhepa!
Lum ai që trupin ia falë atdheut e jo atdheun trupit!
Iu them juve, që jetonji nga troshat e popullit, e vjellni vner n’Kuvend, për njeni tjetrin!
Juve, që i fusni lugët n’sahanin e huej, e “analizoni” pa dien tuej, në do e do Televizore!
Dikur e në nji kohë, do baballarë, nji javë rrugë merrshin për Shkodër, Peshter e Pazarin e Ri, me zgjedhë farën e bukës. Misrin e dojshin t’bardhë e patatët e kuqe! Pasulin që zihej me nji valë!
Arat i lavrojshin me bujashkë bungu, por bujashkën nuk e fusnin kudo e si do, si ju, që nuk e zgjedhni as farën as arën, e lëvdatat, naltësimet, bekimet, ftyrat e teshat, i keni t’lyeme me interes!
Farën nuk e zgjedhni ma, as bimën s’e shartoni. Egjrën po doni me përhapë arave e kopilat n’rrajë e n’degë me lulëzua!
Kend do ta përkundni nesër, n’djepat e drunit?
Si do t’i thoni u bafsh si baba trim dhe e bukur si nana, kur baba s’fjeti kurrë me nji grua e nana s’fjeti kurrë me nji burrë!?
“Zot i Madh, ty t’kjofshim falë, por kjo punë si ka me dalë…” thotë Fishta, e unë, s’dua me ditë ma shumë, veç dua me shtua:
Ju po doni me aprovua ligje, (për teket e Evropës), por Evropa, te ne, nuk i përzgjodhi laramanat, po farën ma t’mirën e mori për fuqi krahu e qëbesa edhe për fuqi bujashke!
Kaq më shkroi kalemi sot!