Lokale - eSIMy

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), si opozita më e madhe në Kuvend, ka paralajmëruar se do ta themelojë shpejtë kabinetin e qeverisë së mirë, me të cilin synon ta sfidojë qeverisjen e Kryeministrit aktual, Albin Kurtit, shkruan Llapi.info. 

Për këtë, dje PDK ka mbledhur strukturat e saj për ta diskituar këtë hap. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se ideja e tyre do të finalizohet së shpejti.

“Bashkë folëm edhe për përgatitjet rreth themelimit të Kabinetit të Qeverisjes së Mirë, i cili do të finalizohet së shpejti. Partia Demokratike e Kosovës, si lidere e opozitës në Kosovë, mbetet e përkushtuar që krahas reformave dhe angazhimit të bazuar në kompetencë, të ofrojë alternativa të mirëfillta qeverisëse e transformuese për vendin. Përveç kësaj teme, Krasniqi tha se dje në një takim të përbashkët me anëtarët e Kryesisë dhe deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së, diskutuan edhe për shumë tema të interesit qytetar, shtetëror e partiak.

Çfarë është Qeveria në hije?

Qeveria në hije, apo kabineti në hije, ka evoluar nga një proces joformal në Parlamentin Britanik. Nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë në Britani, filloi të shfaqej një opozitë e veçantë dhe e organizuar, e cila u bë një grup drejtues për të koordinuar strategjinë e tij ndaj dikastereve të qeverisjes.

Në Kosovë, përmes Qeverisë në hije, për çdo dikaster apo institucion të qeverisë, formohet një “dikaster hije” i opozitës

Opozita, Partia Demokratike e Kosovës në këtë rast, do të emërojë përgjegjës apo koordinator për secilin dikaster, i cili jep alternativa, kritikon dhe përcjell veprimet e dikasterit përkatës të Qeverisë së Kosovës.

Një formë të tillë të opozitës, PDK e kishte bërë edhe gjatë viteve 2005-2007.

Atë kohë, Qeveria e Kosovës drejtohej nga Bajram Kosumi, ndërs PDK që udhëhiqej nga Hashim Thaçi kishte krijuar modelin e “qeverisjes në hije” i cili përbëhej nga 14 departamente, dy prej të cilave drejtoheshin nga shoqëria civile.

PDK, atëkohë kishte thënë se secili departament në kabinetin e Qeverisjes së Mirë, do të ndjekë punën e ministrisë përkatëse në qeverinë e asaj kohe.

Ideja për krijimin e këtij kabineti ishte hedhur nga udhëheqësi i opozitës, Hashim Thaçi, i cili ishte tepër pakënaqur me përbërjen e qeverisë Kosumi dhe punën e saj.

Në vitin 2007, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare ku PDK mori mbi 30 për qind të votave dhe Thaçi u bë kryeministër.

Në janar të vitit 2008, ky i fundit mori edhe zyrtarisht detyrën e tij të re, ndërsa më 17 shkurt të po atij viti, shpalli pavarësinë e Kosovës./Llapi.info