I akuzuari për vrasje të rëndë në kafiterinë “City Club” në Pejë, është dënuar sot nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 24 vite burgim.

Elshani akuzohet se më 2 janar 2010 në diskotekën “City Club”, në Pejë, kishte shtënë me armë zjarri, ku për pasojë i vrarë kishte mbetur B.Sh.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, thuhet se më 2 janar të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë i akuzuari Granit Elshani, kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit B.Sh dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.

Siç përshkruhet në aktakuzë, në natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur B.Sh, i cili kishte qëlluar afër tij.

Sipas aktakuzës, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor, Hasan Buqaj.